Kalo te lënda

Hajnesha nga Shqipëria, vodhi 6 000 euro ari

Një shtetase e Shqipërisë është arrestuar nga Policia, pasi që ajo mashtroi një grua duke ia vjedhur arin. Lindita po mbahet në burg, ndërkaq viktima Shyhrete Kelmendi shpreson se policia do t’i gjejë edhe shoqet e mashtrueses që ia morën dukatin, e që kalon shifrën mbi gjashtë mijë euro

Ishte një ditë vere e nxehtë korriku. Nusja e shtëpisë kishte dalë për t’i larë shkallët. Në dyer të oborrit befas u shfaqën tri femra të panjohura. Ato fillimisht u thanë se kanë ardhur për të shitur plaçka, por më vonë dolën se dinë të qesin fall. Nusja Shyhrete Kelmendi nga Prugovci i Prishtinës u bind që njëra t’ia shikojë fallin, pasi që dy javë më herët i kishte humbur një rreth dore prej ari.
Fallxhorja i tha se arin e humbur do t’ia gjejë me kusht që krejt arin tjetër që e ka t’ia dorëzojë asaj në dorë. Shyhretja iu bind kërkesës së saj dhe krejt çka pati prej dukati ia lëshoi në duar. Por krejt kjo më vonë doli të jetë mashtrim. Fallxhorja ia kishte marrë arin dhe kishte ikur bashkë me shoqet e saj. E njëra nga këto u kap të shtunën nga policia. Lindita nga Shqipëria u prangos, por jo edhe dy shoqet e saj që e mashtruan Shyhreten. Kjo e fundit që mbeti pa dukat rrëfen për Express krejt çka ka ndodhur ditën e 12 korrikut, në oborrin e shtëpisë, ku para dhjetë vjetësh kishte ardhur nuse, njofton express.
“S’e di qysh më bindën. Ato e dishin që mu më ka hupë rrethi. Edhe më thanë a po don me ta gjetë atë. Njëherë kundërshtova, po tani s’e di qysh më bindën”, rrëfen Shyhretja për ngjarjen. Pasi që u bind për të qitur fall, Shyhretja gjithnjë sipas udhëzimeve të mashtrueseve, shkoi në dhomën e saj, ku mblodhi krejt dukatin çka e kishte. E, nuk ka qenë pak. Vlera e dukatit që Shyhretes iu vodh para syve, del të jetë mbi gjashtë mijë euro. Në fillim ajo kishte dyshuar se po ia vjedhin, mirëpo më vonë u besoi.

Lini një koment