Kalo te lënda

Asnjë risi rreth koalicionit

Pavarësisht riaktualizimit të çështjes së koalicionit PDK – AAK, përmes shkrimeve në media, zyrtarë të këtyre dy partive mohojnë të ketë ndonjë risi në këtë drejtim.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka konfirmuar për “Top Channel” se nuk ka ndonjë zhvillim të ri lidhur me krijimin e koalicionit të ri.

“Për çdo koalicion të mundshëm, apo zgjerim të koalicionit, vendimi do të merret në organet e partisë”, tha Grabovci.

Sipas tij, koalicioni aktual për momentin është i qëndrueshëm dhe është duke funksionuar.

Në anën tjetër, edhe zyrtarë të AAK-së deklarohen se gjërat nuk kanë lëvizur, ndërsa kujtojnë se një koalicion i tillë është i mundur vetëm nëse lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, do të jetë kryeministër.

“Kryesia e AAK-së nuk e ka trajtuar asnjëherë çështjen e koalicionit. Është e vërtetë që po flitet e po përflitet e ka spekulime në shtyp. Nuk e dimë se sa nga këto spekulime janë të vërteta, por unë e di qëndrimin e AAK-së, dhe AAK-ja mund të hyjë në koalicion vetëm me Ramush Haradinajn kryeministër”, deklaroi dje Melihate Tërmkolli, anëtare e kryesisë së AAK-së.

Prej disa kohësh në Prishtinë përflitet mundësia e krijimit gjatë vjeshtës të një koalicioni të ri ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Lini një koment