Aksident “si në filma”, shpëtojnë kosovarët
Në mëngjesin e sotëm, në orën 5:45, në Kloten të Zürichut ka ndodhur një aksident spektakolar. Vetura e vozitur nga një kosovar 27 vjeçar është “katapultuar” nga autostrada, duke fluturuar disa metra përmbi pengesat që ndajnë rrugën dhe duke rënë pas disa rrotullimeve në një rrugë anësore.
Si nënjë mrekulli, që të tre të rinjtë të cilët ndodheshin në veturë kanë shpëtuar pa asnjë lëndim!
Ngasësi, i cili ishte duke bërë rrugë në drejtim të Bülachut, për shkaqe ende të panjohura e humbi kontrollin mbi timonin e tij. Vetura pastaj doli nga rruga që po ndiqte, rrëzoi një shenjë trafiku, shkatërroi edhe gardhin prej telave që ndan dy korsitë e autostradës dhe, pasi fluturoi mbi shkurre, aterroi në rrugën paralele anësore.
Megjithë tërë këtë aksident të frikshëm, ngasësi, një kosovar 27 vjeç, ashtu dhe dy shoqëruesit e tij, 24 respektivisht 23 vjeçar, dolën pa ndihmën e askujt nga vetura, madje shpëtuan pa asnjë lëndim, shkruan 20minuten.ch, transmeton Albinfo.
Autoambulanca që ishte ftuar në vendin e ngjarjes, pasi ka kontrolluar të aksidentuarit, nuk ka gjetur asnjë lëndim kështu që është kthyer mbrapsht e zbrazët, ka njoftuar një zëdhënëse e policisë së kantonit të Zürichut.
