Mustafa: Shokët e mi nuk janë hajna
Isa Mustafa doli para gazetarëve dy ditë pas arrestimit të Sami Hamitit, duke u munduar ta shfajësojë atë. Por, në këtë paraqitje, kryetari i LDK-së më shumë u mor me media sesa me Hamitin. Shkrimet dhe fotografitë për këtë rast Mustafa i quajti me qëllime politike.
Më në fund edhe kryetari i Prishtinës deklarohet pas arrestimit të Sami Hamitit. Dy ditë pasi që policë të EULEX-it arrestuan kryesuesin e Kuvendit Komunal në zyrën që është jo fort larg tij, kryetari i LDK-së del para medieve. Mustafa e shfrytëzoi një takim me zëvendëskryetaren e qytetit të Zagrebit për t’u deklaruar lidhur me rastin Hamiti.
Me këtë rast ai përmendi edhe rastet tjera të zyrtarëve të LDK-së, emrat e të cilëve janë lakuar nëpër media për veprime të paligjshme. Mustafa habitet me këto që kanë ndodhur ditëve të fundit.
“Pak si shumë janë për LDK-në që të hapen katër raste për tri ditë, por ne jemi në gjendje që të ballafaqohemi me drejtësinë dhe kërkojmë që edhe tjerët ta bëjnë këtë”, tha Mustafa. Ai kërkon që këto raste të mos bëhen fushatë mediale, por me to të merren organet e drejtësisë. Në këtë paraqitje, kryetari i Prishtinës nuk la asnjë “shibël” mbi Hamitin. Ai e lavdëroi punën e tij si kryesues i Kuvendit të Komunës dhe u bëri thirrje organeve të drejtësisë që ta zbardhin sa më shpejt rastin për të cilin Sami Hamitit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
“Hamiti me përgjegjësinë më të plotë ligjore dhe procedurale e ka kryer punën e tij si kryesues i kuvendit”, ka thënë Mustafa. Sipas tij, gjatë kohës sa ai ka qenë kryesues i Kuvendit nuk ka pas asnjë rast të cilin Kuvendi e ka trajtuar dhe nuk është proceduar në organet e tij dhe në drejtoritë përkatëse. “Në Komunën e Prishtinës nuk ka ndodh asgjë, nuk është ndryshuar asnjë plan rregullues dhe as nuk kemi pas asnjë tentativë për çështje të tilla”, tha i bindur Mustafa. Kryetari i LDK-së apelon te organet e drejtësisë që rastin Hamiti ta shqyrtojnë në mënyrën më të drejtë ligjore sepse, siç tha ai kjo, është në të mirë të Hamitit, të Komunës dhe zbatimit të ligjit në Kosovë.
Mustafa tha se është mirë që rasti të mos politizohet. “Vetë fakti që ky rast është hap edhe në Kuvendin e Kosovës flet se njerëzit janë të interesuar t’i japin kahe tjetër”, tha Mustafa. Po ashtu Mustafës nuk i kanë pëlqyer fotografitë e Hamitit të botuara në portale dhe media, të cilat, sipas tij, rastit i kanë dhënë kahe politike. “Po të shikohen portalet e gazetave të ndryshme, shihet se ata nuk kanë qenë shumë të interesuar për Hamitin, por më shumë për LDK-në sepse janë botuar fotografi tjera, gjë që flet se kemi joprofesionalizëm dhe nuk kemi qëllime të mira”, tha Mustafa.
Kryetari i Prishtinës tha se Komuna nuk ka qenë e njoftuar për rastin e arrestimit të Sami Hamitit, ndërkaq duke folur edhe për rastet tjera në të cilët përmenden zyrtarët e partisë së tij, Mustafa tha se nuk mund të thotë asgjë derisa drejtësia mos ta thotë fjalën e vet.
“LDK nuk mund të thotë asgjë tani për tani. Duhet të vërtetohen veprimet e paligjshme të mundshme në mënyrë që ne të marrim një qëndrim”, tha i pari i LDK-së.
Ai është i vendosur se Sami Hamiti do të vazhdojë të mbetet kryesues i Kuvendit dhe seancat do t’i udhëheqë zëvendësi i tij. Isa Mustafa nuk pranon se në ndonjë mbledhje është diskutuar për ndryshimin e planit rregullues të lagjes Sofalia, për të cilën dyshohet se Hamiti kishte dashur ta bëjë këtë për të krijuar favore nga një qytetar. Por, megjithatë, Mustafa sqaron se Komuna ka vendim që të ndryshojë planet rregulluese pas pesë viteve të miratimit. E për këto plane, Mustafa tha se ka vërejtje edhe nga Ministria e Ambientit. “Ne nuk paragjykojmë që kompanitë që do të punojmë në ndryshimin e planeve rregulluese do të ndryshojnë në favor të dikujt. Por, për ato ende nuk është shpallë tenderi dhe ajo punë nuk do të bëhet as në gjysmën e vitit të ardhshëm.
Sami Hamiti është arrestuar të mërkurën nga policë të EULEX-it nën dyshimin për zhvatje dhe korrupsion. Atij i është caktuar masa e paraburgimit prej tridhjetë ditësh. Bashkë me të janë arrestuar edhe dy biznesmenë, Agim Ademi dhe Muharrem Rama./standardi.info