Krejt bota në këmbë për Naserin!
Se Naser Kelmendi ndodhet në Pejë e di edhe shteti i Bosnjës. Mediet atje të premten kanë publikuar edhe vendin ku ai po qëndron. Sipas tyre, Kelmendi ndodhet në shtëpinë e tij në rrugën “Adem Jashari” afër stacionit të autobusëve.
Policia boshnjake po pret prokurorinë të lëshojë fletarrestin ndërkombëtar për të. Deri më tash askush nuk ka kërkuar ndihmë nga Policia e Kosovës. Bosnja e di që Naser Kelmendi ndodhet në Pejë. Për më shumë e di edhe vendin ku ai po fshihet dhe kush po kujdeset për sigurinë e tij. Megjithatë, nuk mund të bëjë asgjë derisa të lëshohet një fletarrest ndërkombëtar për të, i cili me gjasë do të shpallet sot.
Kështu të paktën kanë thënë zyrtarë të lartë të lartë Bosnjë, dhe televizioni federal i këtij vendi. Vetëm një ditë pasi burime të agjencisë ndërkombëtare të inteligjencës që veprojnë në Kosovë i kanë thënë Express se i shumëkërkuari, biznesmeni Kelmendi ndodhet në qytetin e tij të lindjes në Pejë, mediet boshnjake kanë publikuar edhe vendin ku ai po qëndron.
Të premten televizioni federal i BeH ka njoftuar se Naser Kelmendi ndodhet në shtëpinë e tij në Pejë, e cila ndodhet në rrugën Adem Jashari, ku jetojnë edhe të afërmit e ti. Gjithashtu, ky televizion pohoi se me Kelmendin në Pejë ndodhet edhe bashkëpunëtori më i afërm i tij Rexhep Kelmendi, i njohur si Xheko, i cili po ashtu merret me shitje të narkotikëve.
E përveç Rexhepit, ata që po kujdesen për sigurinë e biznesmenit janë edhe Shefqet Kelmendi, Jusuf Kelmendi, Beqir Kelmendi, Valdet Kelmendi dhe Kastriot e Artan Kelmendi. Të gjithë këta, sipas televizionit shtetëror të Bosnjës, janë duke e ruajtur Naserin prej ditës që ai është shpërngulur nga Mali i Zi për në shtëpinë e tij, që ndodhet në afërsi të stacionit të autobusëve në Pejë.
Pos medieve boshnjake se ku ndodhet biznesmeni kosovar e dinë edhe zyrtarë të shtetit. Ministri i Sigurisë së BeH, Sadik Ahmetovic, në një prononcim për mediet ka thënë se nuk mund të japë asnjë detaj se ku ndodhet Kelmendi, pavarësisht se ai dhe policia e dinë se ku po qëndron ai.
“E tëra që mund t’ju them në këtë moment, e që të mos e cenoj hetimin, është se ne e dimë ku ndodhet Naser Kelmendi”, theksoi ministri Ahmetovic. “Nuk mund të tregoj se ku ndodhet Kelmendi sepse ekziston rreziku që ai ta ndërrojë vendndodhjen e tij’, ka pohuar Ahmetovic i cili po ashtu deklaroi se është duke pritur nga Prokuroria e BeH që të lëshojë një fletarrest ndërkombëtar për Naser Kelmendin.
Deri më tash BeH nuk ka kërkuar asnjë ndihmë nga Policia e Kosovës. I kontaktuar nga Express, Veton Elshani nga zyra për marrëdhënie ndërkombëtare në Policinë e Kosovës, thotë se deri pasditen e së premtes askujt prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nuk i është kërkuar ndihmë nga ajo e Bosnjës. “Jo, deri tash askush nuk na ka telefonuar, me asnjë zyrtar nga atje nuk kemi biseduar për këtë çështje…nuk kanë kërkuar bashkëpunim”, ka thënë shkurt Elshani.
Derisa mediet boshnjake kanë raportuar për vendndodhjen e Naser Kelmendit, avokati i tij Mit’hat Koço nuk di asgjë. Për herë të fundit që ai është dëgjuar me klientin e tij nëpërmjet telefonit ka qenë dita e mërkurë, kur Naseri ndodhej në Mal të Zi. “Jemi dëgjuar të mërkurën. Më ka thirrur nga një numër që ka prefiksin e njëjtë sikurse ky nga i cili po më thërrisni ju +382” , i tha Koço gazetës malazeze “Vijesti”. Ai po ashtu ka pohuar se klienti i tij nuk kërkohet nga policia, sepse ai do të lajmërohej menjëherë nëse do ta dinte se kjo gjë është e nevojshme.
Është Antidroga e SHBA’së, policia boshnjake dhe ajo malazeze që iu kanë vënë pas atij, por deri më tash nuk kanë arritur ta kapin. Gazeta Express, përmes burimeve të saj nga një agjenci ndërkombëtare e inteligjencës që vepron në Kosovë, të enjten ka kuptuar se Naser Kelmendi ndodhet në Pejë, qytetin prej nga e ka prejardhjen. “Ne jemi në kontakt me autoritetet kosovare dhe po përpiqemi ta neutralizojmë atë”, i ka thënë zyrtari i inteligjencës që foli në kushte anonimiteti të enjten.
Policia e Bosnjës ka nisur mëngjesin e së martës një aksion për të arrestuar dhjetëra persona që merreshin me krim të organizuar. Aksioni, i koduar me emrin “Lutka”, ka rezultuar me prangosjen e rreth 25 personave, të cilët janë arrestuar në bazë të kërkesës së prokurorisë. Aksioni është kryer në tërë territorin e Bosnjës. Mediat boshnjake dhe ato të Malit të Zi kanë raportuar se qëllimi kryesor ka qenë arrestimi i Naser Kelmendit. Me origjinë nga Peja, Kelmendi për mediat është i njohur si biznesmen kontrovers dhe i cilësuar shpesh edhe si një nga narkobosët më të mëdhenj.
Një nga lokacionet e kontrolluara nga policia ka qenë Casa Grande në pronësi të Naser Kelmendit. Policia ka deklaruar se ai megjithatë është larguar për në Mal të Zi. Por, policia e ka mohuar që ai është në territorin e Republikës së Malit të Zi. Naser Kelmendi, 55-vjeçar nga Kosova, i lindur në Bosnjë e Hercegovinë, është bërë pjesë e listës së zezë të SHBA’së për trafikim droge. Shtëpia e Bardhë e ka sanksionuar shqiptarin nga Kosova për trafikim droge. Presidenti i SHBA’së, Barack Obama, e ka njoftuar Kongresin se është sanksionuar Kelmendi nën aktin e Kingpinit, i zbatuar nga Departamenti amerikan i Zyrës së Thesarit të Kontrollit të Pasurive të Jashtme (OFAC).
Kelmendi, 55-vjeçar, qytetar i Kosovës, i lindur në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH), sipas Departamentit të Thesarit, dyshohet se ka udhëhequr njërën nga familjet më të forta kriminale shqiptare në Ballkan. Ka kohë që ai është i dyshuar për drejtimin e një organizate të madhe që merret me trafikimin e heroinës, kokainës dhe anhidridit acetik, një lëndë e parë që përdoret në prodhimin e heroinës, dhe në Evropë transportohet nëpërmjet Ballkanit. Naseri, djemtë e tij Elvisi, Liridoni dhe Besniki, dhe vëllai i tij Beçiri, thuhet se zotërojnë një numër të bizneseve në Bosnjë, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë duke përfshirë hotele dhe një kompani kamionësh./standardi.info