Elbasan, arrestohet në flagrancë pedagogu
Një pedagog i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” është arrestuar në flagrancë nga policia. Pedagogu i gazetarisë, Isidor Koti, është kapur me 84 mijë lekë të reja dhe 300 euro pas denoncimit të disa studentëve.
Policia bën të ditur se Koti në këmbim të notave të provimeve u merrte para studentëve, me të cilët linte takime jashtë orarit të mësimit. Shuma që policia i ka kapur në flagrancë ishte e ndarë në disa zarfe.
Koti është autor i disa librave dhe shumë aktiv në media me analiza dhe opinione. Ai ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për gazetari në vitin 2005. Në fund të vitit 2011, Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i dha këtij gazetari çmimin “Vangjush Gambeta”, njeriu që u persekutua vetëm për të mbrojtur të vërtetat e pathyeshme ekonomike.
Ky është rasti i dytë brenda pak muajve pasi në korrik një tjetër pedagog i këtij universiteti u arrestua në flagrancë me të njëjtën akuzë. Pëllumb Kllogjeri, pedagog i matematikës, u arrestuar me akuzën se u merrte para studentëve, për t’iu vënë notë kaluese në provime. 61- vjeçari u arrestua nga policia e Elbasanit në flagrancë në zyrën e tij, ku iu sekuestrua shuma prej 70 mijë lekësh të reja dhe 100 euro.