E rrëmbejnë kipcin e Saddamit, për ta angazhuar në pornografi
Mohamed Bishr, nga Aleksandria e Egjiptit, pohon se një bandë nga Iraku e ka rrëmbyer në mënyrë që të luaj në një film pornografik, ku do ta kishte rolin e diktatorit të ndjerë, Saddam Hussein. Thotë se e kanë rrahur keq kur e ka refuzuar “ofertën”, ndonëse ia kanë ofruar 330 mijë dollarë.
Bishri thotë se rrëmbyesit e kanë telefonuar dhe e kërcënuar se do ta rrëmbejnë prapë nëse nuk ndërron mendjen. Dyshohet se rrëmbyesit planifikojnë të fitojnë para nga gjoja xhirimet “ekskluzive” të ish liderit irakian.
“Tre burra me revole në brez më detyruan të dal nga makina, më goditën në kokë dhe më futën në një furgon”, tha Bishr, i shtrirë në spital. Gjëja e fundit që kujton është se rrëmbyesit i bërtisnin njëri-tjetrit para se ta hidhnin nga makina, me ç’rast e lëndoi rëndë kokën për betoni.
Familja e tij thotë se njerëzit që e kanë kërcënuar kishin theks irakian ose sirian.
Bishri aq shumë ngjanë me ish diktatorin sa që edhe më herët e kanë sulmuar irakianët e vendosur në Egjipt, duke menduar se është Saddami e kështu – duke e kapur – do të mund të merrnin shpërblimin që ishte caktuar për kokën e liderit të përmbysur të Irakut.
“Kemi kërkuar nga policia mbrojtje speciale për babanë tonë, sepse sulmet kundër tij janë të shpeshta”, ka thënë i biri Mahmoud.
Është e njohur se ish-udhëheqësi irakian, i cili u vra në dhjetor të vitit 2006, shpesh ka përdorur kipcat e tij për të shmangur atentatet eventuale. /Telegrafi/