Kalo te lënda

Dialogu: Çka po shton Eshton?

Bashkimi Evropian po vazhdon konsultimet për procesin e dialogut Kosovë – Serbi. Në këtë kuadër do të mbahen edhe takimet e ndara të Baroneshës Ashton me Kryeministrin e Kosovës dhe Presidentin e Serbisë në fund të shtatorit në New York.

Zyrtarë të BE-së thonë se nuk kanë planifikuar takim mes Thaçit dhe Nikolicit. Pohojnë se nuk ka as ndonjë datë për fillimin e bisedimeve. Bashkimi Evropian ende nuk ka arritur të caktojë një afat për fillimin e bisedimeve të reja mes Kosovës dhe Serbisë.
Por, Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e BE-së, Catherine Ashton, e cila pritet të jetë ndërmjetësja kryesore në këtë proces, po vazhdon përpjekjet në këtë drejtim. Tashmë Ashton ka bërë të ditur planet e saj për t’i takuar zyrtarët e lartë të dy vendeve në New York, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, që fillon punimet më 18 shtator.
Sipas zyrtarëve të BE’së, takimet e Ashton me Thaçin dhe Nikolic do të jenë të ndara. Express ka kontaktuar me zyrtarë të Bashkimit Europian duke i pyetur nëse Përfaqësuesja e Lartë po planifikon të ndërmjetësojë ndonjë takim mes Thaçit dhe Nikolic, por një gjë e tillë është mohuar. “Nuk është parashikuar ndonjë takim mes Kryeministrit Thaçi dhe Presidentit Nikolic”, kanë thënë zyrtarët.
Maja Kocijancic ka folur për takime të veçanta të Ashton me Thaçin dhe Nikolicin. “Përfaqësuesja e Lartë do ta takojë Kryeministrin Thaçi dhe Presidentin Nikolic në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, që do të mbahet në javën e fundit të shtatorit”, ka thënë Maja Kocijancic, zëdhënëse e Catherine Ashton, në një prononcim për Express.

Lini një koment