Kalo te lënda

Batalioni gjermano-austriak zëvendëson italianët në veri

Zëdhënësi i  KFOR-it, Uve Novicki ka deklaruar se në periudhën e ardhshme nuk do të ketë rritje të numrit të ushtarëve të forcës paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë, por në fund të shtatorit do të ketë zëvendësim të një numri të caktuar të ushtarëve.

Novicki, duke thënë nuk do të ketë vendosje të trupave shtesë, ka potencuar se në fund të shtatorit,  550 ushtarë italianë të vendosur në veri të Kosovës. te Zubin Potoku, do të zëvendësohen nga një batalion gjermano-austriak nga forcat operative rezervë.

Zëdhënësi i KFOR-it ka konfirmuar për Radio “Kontakt plus” se aktualisht në Kosovë janë të vendosur 5.609 ushtarë nga 30 vende të ndryshme të botës dhe se nuk do të vijnë forca shtesë.

Situatën në veri të Kosovës, ai e ka cilësuar kryesisht të qetë dhe stabile, duke potencuar se ekziston një shqetësim tek qytetarët, i cili, sipas tij, mund të jetë shkaktuar nga shpifjet e ndryshme që qarkullojnë nëpër media.

Ai ka përmendur si shembull  spekulimet se KFOR-i do të shtojë numrin e ushtarëve në teren dhe se do të mbyllë të gjitha vendkalimet në veri, gjë që, sipas tij, është e pavërtetë.

Lini një koment