Kalo te lënda

Serbia do të ndërmarrë ofensivë kundër Kosovës

Në kohën kur në Kosovë po qëndronin numër i madh i delegacioneve të huaja, ambasadorë dhe diplomatë të shquar nga e mbarë bota, televizioni publik serb transmetoi një video në të cilën një person fliste për trafikim të organeve në Kosovë.

Për qeverinë e Kosovës ky rast më shumë si reagim i Beogradit shihet si veprim me tendenca politike. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi për Indeksonline thotë se e gjithë kjo ngjarje është pjesë e vazhdueshme e propagandës serbe.

“Kosova i ka dhënë mbështetje të plotë Task Forces për këtë çështje dhe veprimet e tjera janë me tendencë për efekte politike” thotë Kuqi.

Ndërkohë Ish-funksionari i lartë Azem Vllasi për Indeksonline transmetimin e një dëshmie të tillë e quan kryekëput montazhë.

“Montazha të tilla kamë parë shumë herë në politikën serbe” thotë Vllasi, “unë jam dëshmitar i gjallë i montazheve të tilla” tregon ai.

Duke e kritikuar qeverinë e Kosovës për mos reagim pas këtyre veprimeve  të Beogradit Vllasi thekson se tani Serbia do të ndërmarrë një ofensivë të madhe diplomatike kundër Kosovës, e cila do të përfshijë provokime nga më të ndryshmet, duke mos zgjedhur rrugët, qëllimi i vetëm i së cilës do të jetë destabilizimi i situatës në vend dhe prishja e imazhit ndërkombëtarë të Kosovës, imazh ky i cili do të ndikonte në njohjet dhe marrëdhëniet e vendit tonë me shtetet e tjera.

“Prej ditës kur është hequr mbikëqyrja e Pavarësisë për qeverinë e Kosovës nuk ka më arsyetime se kinse për këto çështje është kompetentë bashkësia ndërkombëtare, tash gjithçka është në dorën tonë” thotë Vllasi.

Drejtuesi i organizatës joqeveritare “Çohu”, Avni Zogiani, veprimet e tilla të shtetit fqinjë nuk do as ti komentojë. Për Indeksonline ai thotë se fajtorë nuk është qeveria serbe por institucionet tona të cilat lënë hapsirë për veprime te tilla nga ana e Beogradit.

“Ne do të duhej të nxirrnim raste kundër Beogradit, e jo të lejojmë që në këtë mënyrë tërë debatin dhe politiken ta orientojë Serbia” përfundon Zogiani./Indeksonline/

Lini një koment