Mustafa: Harrojeni votën e LDK-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka hedhur poshtë të gjitha shanset se partia e tij do të përfshihet në një marrëveshje të re, përmes së cilës do të bëheshin ndryshimet kushtetuese për presidentin e vendit.
“Përgjigja jonë është ajo që ka qenë, ne nuk i votojmë ato ndryshime kushtetuese që nuk e respektojnë marrëveshjen e vitit të kaluar. Në qoftë se munden ata me ble vota e ta votojnë le ta bëjnë. Është e fuqisë së votave dhe demokracisë, por nuk do ta kenë votën e LDK-së”, ka thënë Mustafa.
Ai ka thënë se presidentja Atifete Jahjaga duhet ta respektoj marrëveshjen me të cilën ka ardhur në krye të vendit, ashtu siç ka premtuar dhe është zotuar në Kuvendin e Kosovës se do ta respektoj atë.
“Atifete Jahjaga apo presidentja duhet të zbatoj marrëveshjen politike, dhe ne insistojmë që ajo ta bëjë këtë, por nuk duhet të sillet me detyrim për LDK-në. Duhet ta zbatoj një marrëveshje e cila ka kaluar në rezolutë të Kuvendit, për të cilën ajo është zotuar se do ta respektojë. E cila më pastaj do t’u hapte rrugë, reformës zgjedhore dhe zgjedhjeve të reja”, është shprehur ai, raporton reporteri.
I pari i LDK-së ka folur edhe për arrestimet e fundit në Komunë dhe për përfolët në media se deputeti i kësaj partie Naser Osmani, i ka kërkuar para Behgjet Pacollit për privatizim të Hotel Grandit.
“Po janë pak si shumë për LDK-në që të hapen katër raste për tre ditë. Ne jemi në gjendje dhe dëshirojmë që të ballafaqohemi me drejtësinë, por dëshirojmë që me drejtësinë të ballafaqohen të gjithë”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se ai kërkon që këto raste mos të bëhen spektakël në media, por të merren organet e drejtësisë dhe ato t’i sqarojnë sa më parë.