Heshtin për Hamitin
Sami Hamiti me dy shokët e tij, Agim Ademin dhe Muharrem Ramën, do t’i kalojnë tridhjetë ditët e ardhshme në burg. Gjyqtari tha se të arrestuarit paraqesin kërcënim për dëshmitarët në rast se lihen të lirë.
Lidhja Demokratike e Isa Mustafës edhe të enjten nuk e tha asnjë fjalë për arrestimin e zyrtarit të saj të lartë.
Institucioni ku për shumë vjet ka punuar Sami Hamiti nuk ka dhënë asnjë koment në lidhje me arrestimin e tij.
Ndërkaq LDK-ja, partia zyrtar i së cilës është Hamiti, nuk kanë dashur të japin ndonjë koment pa u ditur aktakuza.
Arben Gashi tha për Express se partia nuk mund të dalë me ndonjë qëndrim pa e ditur konkretisht për çka akuzohet zyrtari i saj. “ Ne nuk dimë për çka akuzohet, prandaj po presim. Nëse ata dalin fajtor natyrisht se do të dalim me një qëndrim”, tha Gashi. Ai tha se zyrtarët e LDK-së janë informuar për arrestimet nëpërmjet medieve, dhe krejt çka ata dinë janë “spekulime”që e përfshijnë Sami Hamitin në korrupsion. “Tash po presim, arrestimi është vendim i organeve të drejtësisë. Ata merren me të tjera, nëse ai është i pafajshëm lirohet e nëse jo vendimi shkon deri në fund”, tha Gashi.