Deputeti shqiptar i Suedisë që lobon për Kosovën
Edhe pse vetëm 15 vjeç, autoritetet jugosllave nuk e kursyen motrën e Avniut të cilën së bashku me babanë i burgosën në vitin 1981. Përballja e vështirë me realitetin e asaj kohe për një shqiptar, nuk ishte e panjohur për Avniun. Njëri prej gjyshërve të tij u vra nga jugosllavët pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa tjetri u dënua me plot 19 vite burgim. Sikur të mos mjaftonin këto, daja e tij po ashtu vuajti 12 vite burg deri sa vdiq në Jugosllavinë e asaj kohe. “E kam ditur që nga fëmijëria se qëllimi im është të luftoj për forcimin e kombit tim, sa të kem jetë”. Këto janë fjalët e 39-vjeçarit shqiptar i cili që pas zhvendosjes në Suedi në vitin 1992, iu përkushtua shkollimit dhe politikës. Kjo e fundit i siguroi atij një karrierë të shkëlqyer duke e bërë të parin deputet shqiptar në Suedi si dhe këshilltar politik pranë Parlamentit Suedez.
Karriera në Suedi
Ishte viti 1992 kur Avni Dervishi u zhvendos në Suedi dhe përfundoi shkëlqyeshëm magjistraturën për Shkenca Politike në Çështjet Evropiane dhe Ballkanike. Duke pasur një fëmijëri të vështirë e të lidhur ngushtë me patriotizmin, ai nisi të bëhej zëri i të gjithë shqiptarëve të Suedisë, fillimisht duke drejtuar shoqatën ‘Besa’ e më pas duke u zgjedhur si deputet i rajonit të Vasteras me votat e bashkatdhetarëve të tij. “Angazhimi im për demokraci dhe respekti për të drejtat e njeriut, si dhe angazhimi im i palodhur për çështjet shqiptare kanë ndikuar të jem këtu ku jam sot” – shprehet Avni Dervishi. Ai shpjegon se pavarësisht prezencës së forcave ekstremiste të djathta që shprehen kundër emigracionit, Suedia ka ligjin më të mirë për mbrojtjen e emigrantëve. Nga ana tjetër, lidhja me Suedinë për të është disi morale. Avniu e sheh si një lloj detyrimi ndaj Suedisë dhe shqiptarëve angazhimin e tij pasi Suedia është vendi i tretë që ka dhënë më shumë ndihma për Kosovën pas SHBA-ve dhe Gjermanisë.
Deputet? Aspak e çuditshme
Zgjedhjet e vitit 2010 ishin ato që vendosën fatin e karrierës së Dervishit. Në atë kohë 37-vjeç, ai u bazua në votat e 60 mijë shqiptarëve ndërsa ato ishin të shpërndara në disa rajone. Sipas tij, nuk ka asgjë të çuditshme që një i huaj të angazhohet në politikën vendase. Avniu shpjegon se komunitetet më të mëdha në Suedi janë boshnjakët, kurdët, iranianët, arabët dhe finlandezët. Për ta ilustruar suksesin e një të huaji në politik Avniu shprehet: “Mjafton të kujtojmë se ministrja e Çështjeve të Imigrimit dhe Barazisë Gjinore, Nyamko Sabuni, ka lindur në Burundi në vitin 1969”.
Përgatiti Ardit Rada