Berisha: “Sot, më të vendosur se kurrë t’iu japim përgjigjen e merituar kriminelëve”
Por ju siguroj për mbështetjen më të vendosur të qeverisë dhe besimin e saj të palëkundur se me forcën e ligjit do të ndëshkojmë krimin dhe kriminelët, aty ku ndodhen në mënyrën më të vendosur. Dje një vrasës i përsëritur goditi kryekomisarin.”
“Natyrisht drejtësia do të thotë me rreptësinë më të madhe fjalën e saj, sikundër do hetohet çdo element i këtij akti të shëmtuar.”
Kryeministri Sali Berisha ka bërë sot një vizitë në shtëpinë e kryekomisarit të policisë, Adem Tahiraj, i cili u vra në krye të detyrës dje në afërsi të Sukthit në Durrës, teksa po kontrollonte makinat për armëmbajtje pa leje. “Dhimbje e madhe për efektivët, familjen, shtetin. Gjithë shqiptarët ndajnë dhimbjen sot me ju. Tahiraj ra në krye të detyrës, në një akt të shëmtuar kriminal. Do hetohet çdo aspekt i këtij krimi makabër.”, ka thënë kryeministri, duke mos e zënë dot në gojë drejtpërdrejt përgjegjësinë e gjykatave, por duke lënë të nënkuptohen hetimet e të gjitha hallkave, jo vetëm kriminelëve, por edhe pikërisht të gjykatave, që kanë firmosur lirimin e tyre.
“Tahiraj do të mbetet në kujtesën e gjithë atyre që e kanë njohur. I paharruar për sakrificën sublime për të ruajtur rendin dhe sigurinë.”, ka thënë kryeministri Sali Berisha gjatë vizitës në familje.
Por ka folur edhe pas homazheve në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë: “Erdha për të shprehur dhimbjen time më të thellë dhe të qeverisë për dëshmorin më të fundit të atdheut, kryekomisarin Adem Tahiri që ra në krye të detyrës, në përpjekje për të garantuar rendin, qetësinë, në bashkinë e Shijakut. Ai ka qenë një kryekomisar shembullor, trim, i vendosur dhe me sakrificën e tij sublime iu faktoi kolegëve të tij dhe mbarë shqiptarëve, se cili ishte kuptimi i lartë i detyrës për të.”
Berisha ka theksuar se kjo është një humbje e madhe për familjen, të cilës me këtë rast i shprehu ngushëllimet më të sinqerta. Ngushëlloi edhe forcat e rendit, efektivat e policisë për humbjen e njërit prej anëtarëve më të talentuar të tyre. “Por ju siguroj për mbështetjen më të vendosur të qeverisë dhe besimin e saj të palëkundur se me forcën e ligjit do të ndëshkojmë krimin dhe kriminelët, aty ku ndodhen në mënyrën më të vendosur. Dje një vrasës i përsëritur goditi kryekomisarin. Natyrisht drejtësia do të thotë me rreptësinë më të madhe fjalën e saj, sikundër do hetohet çdo element i këtij akti të shëmtuar. Dua të garantoj edhe një herë qytetarët se jemi sot më të vendosur se kurrë t’u japim përgjigjen e merituar gjithë atyre që për qëllime kriminale kërkojë t’i imponohen rendit dhe ligjit.” ka thënë Berisha pas homazheve, duke mos akuzuar sërish drejtpërdrejtë gjykatat për lirimin nga burgu të një ‘vrasësi të përsëritur’.
M.Alla