VV: Ministri i Drejtësisë i mashtroi sërish grevistët në Dubravë
Lëvizja Vetëvendosje pretendon se Ministria e Drejtësisë ka mashtruar sërish grevistët e Burgut të Dubravës. Deputetja Albana Gashi, sot në seancën e Kuvendit të Kosovës paraqiti shqetësimin e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me të burgosurit në Dubravë.
Ajo theksoi se qëllimi i vetëm i grevës, ishte shumë i thjeshtë dhe shumë i qartë, futja e Amnistisë si kategori kushtetuese, por që gjatë gjithë mandatit të kësaj qeverie, nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret.
“Kjo është greva e tretë me radhë gjatë mandatit të kësaj qeverie për të njëjtin qëllim dhe, sikur rastet e mëhershme edhe kjo grevë përfundon pa rezultat konkret. Ajo çfarë arritën të burgosurit me këto greva ishte demaskimi se kjo nuk është Ministri e Drejtësisë por Ministri e Premtimeve të kota, Ministri e mashtrimeve, e ,mbi të gjitha Ministri e Padrejtësisë”, ka thënë deputetja Albana Gashi.
Deklaratat në vazhdimësi të Ministrit të Drejtësisë se gjoja ja paska dërguar propozimin Komisionit për ndryshime kushtetuese, sipas Gashit, janë një mashtrim i radhës i të burgosurve pasi që Gashi thotë se, Ministri i Drejtësisë është i vetëdijshëm për mandatin dhe përgjegjësit që kishte Komisioni kushtetues andaj edhe deklaratat e tij janë një hedhje hi syve të të burgosurve.
“Kushtetuta e Kosovës nuk e parasheh amnistinë si institut. Mirëpo ka vende të cilat nuk e kanë të rregulluar amnistinë me Kushtetutë porse e kanë të rregulluar me ligjin për amnisti, si për shembull, Maqedonia e Bullgaria. Ne konsiderojmë që amnistia është institut i së drejtës romake, tradicional dhe shumë demokratik dhe se rrallë gjenden shtete të cilat nuk e kanë, madje amnistinë e kanë të parapara edhe legjislacionet e vendeve më diktatoriale dhe me nivele shumë të ulëta të zhvillimit te demokracisë”, ka thënë Gashi para deputetëve.
Në fjalimin e saj, Gashi theksoi se për vite me radhë të burgosurit kanë qenë të mashtruar nga Ministria e Drejtësisë, dhe më e keqja e kësaj, siç thotë deputetja Gashi ‘është se përveç që nuk ka filluar së hartuari Ligjin për Amnistinë, kjo Ministri e ka hequr atë si institut edhe nga projekt-kodi penal’.
“Kësisoj Ligji për Amnistinë është një e drejtë e garantuar me konventat ndërkombëtare dhe se edhe ne si shtet duhet ta kemi atë. Çfarë ka rëndësi në këtë çështje është që në një ligj të tillë për amnistinë të rregullohen detajisht të gjitha procedurat dhe kushtet për amnistinë e të burgosurve me qëllim që të pamundësohet keqpërdorimi i këtij ligji, siç ka ndodhur me rastin e faljes”, thotë ajo.
Deputetja e Vetëvendosjes në fund të fjalimit e quajti të pamoralshme gjestin e ministrit të drejtësisë, me aktin e dhënies së dorëheqjes dhe me revokimin e saj.
“Përfundimisht, konsideroj se Ministri i Drejtësisë me aktin e dhënies së dorëheqjes dhe me revokimin e saj, e ka arritur kuotën më të lartë të pamoralsisë si rezultat i dhënies së ideve dhe premtimeve të tij të mos-përkthyera në normë juridike”, përfundoi deputetja Albana Gashi.