Kalo te lënda

Vrasin shefin e Komisariatit të Shijakut

DURRËS –  Shefi i Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj, është vrarë duke u qëlluar me një breshëri automatiku, nga dy persona.

Shefi i komisariatit ishte në krye të detyrës gjatë një operacioni zyrtar për arrestimin e një shumëkërkuari.

Sipas informacioneve paraprake, mësohet se mes kryekomisarit dhe autorëve të krimit ka pasur një debat për arsye ende të paqarta, ku më pas ata kanë nxjerrë automatikun duke e qëlluar me breshëri.

Viktima ka ndërruar jetë pranë makinës. Kufoma e tij u gjet pranë gomave të makinës së detyrës.

Gjithashtu si pasojë e breshërisë së plumbave kanë mbetur të plagosur dhe një burrë e një grua që janë ndodhur aty afër.

Krimi ka ndodhur në praninë e shumë dëshmitarëve okularë, banorëve të zonës dhe kalimtarëve të rastësishëm, aq sa një grua është plagosur dhe u dërgua në spital për mjekim bashkë me një kalimtar tjetër, por pa probleme për jetën.

Ndërkohë automjeti me të cilin u larguan nga autorët është gjendur në zonën e Sukthit, pranë një pallati trekatësh, disa dhjetëra metra larg nga vendi ku u ekzekutua shefi i komisariatit.

Policia ka hedhur dyshime se banesa e personit që ka braktisur makinën, ndodhet në këtë pallat, por raportohet se në këtë apartament momentalisht nuk ndodhet askush.

Krerët më të lartë të Policisë së Shtetit janë nisur drejt vendit të ngjarjes, ndërkohë që RENEA ka shoqëruar shumë persona që mund të kenë dijeni apo lidhje me vrasjen.

Ndërkaq, policia ndodhet në vendngjarje për të zbardhur detajet e ngjarjes së ndodhur në të cilën humbi jetën shefi i komisariatit të Shijakut, Adem Tahiri. Shefi i komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj ishte 49 vjeç me origjinë nga Kernaja e Tropojës dhe baba i dy fëmijëve, 14 dhe 10 vjeç.

Rama: Alarm buçitës, krimi ka dalë mbi shtetin

Kryetari i Partisë Socialiste ka reaguar në lidhje me vrasjen e shefit të komisariatit të Sukthit, ku tha se krimi ka dalë mbi shtetin.

“Vrasja Adem Tahirit alarm buçitës për epërsinë që ka marrë krimi mbi shtetin dhe pasigurinë e kudondodhur në gjithë territorin e vendit”, u shpreh Rama në Twiteer.

Rama premtoi se do t’i garantoj çdo qytetar, se do t’i japë këtij vendi sigurinë e munguar dhe uniformes blu autoritetin e plote të ligjit në territor.

“Dua të ngushëlloj e inkurajoj sot çdo komisar e polic të ndershëm në përballjen me krimin megjithëse në kushtet e patolerueshme të punës së vet”, theksoi kreu i opozitës.

/M. Brungaj/ E.Lata/

Lini një koment