Sot vendimi për Sami Hamitin
Sot merret vendimi për kryesuesin e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamitin dhe dy biznesmenët e tjerë Muharrem Rama dhe Agim Ademi të cilët u arrestuan dje nga policia e EULEX-it. Tre të dyshuarit për momentin janë duke u intervistuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë nga Prokuroria e EULEX-it, e cila do të vendosë brenda ditës se çfarë do të behët me ketë rast, pasi që masa e ndalimit policor për Sami Hamitin dhe dy të tjerët skadon në orën 16:00.
INPO: Sami Hamiti të jap dorëheqje
Iniciativa për Progres – INPO kërkon nga kryesuesi i asamblesë së Prishtinës të ofroj dorëheqjen e tij, pasi që tani në këto momente ai dyshohet për korrupsion edhe për zhvatje. “Ne si organizatë besojmë në parimin së çdo njëri është i pafajshëm deri sa të dëshmohet e kundërta, mirëpo në demokraci ka standarde të moralit që një zyrtar që hetohet për krime serioze duhet të ofroj dorëheqjen apo të shkarkohet nëse është e nevojshme për të siguruar që punët në institucionin që ai përfaqëson vazhdojnë së funksionuari normalisht dhe së imazhi i institucionit nuk dëmtohet duke e humbur kredibilitetin para qytetarëve”, ka thënë kjo OJQ përmes një komunikatë dërguar medieve.
Sjellje korrekte ne Qendrën për Ndalim
Monitorues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut vizituan sot të ndaluarit Sami Hamiti, Muharrem Rama dhe Agim Ademi në Qendrën për Ndalim në Prishtinë për t’u informuar rreth trajtimit të tyre gjatë arrestimit dhe gjatë mbajtjes në Qendrën e Ndalimit. Tre të ndaluarit i deklaruan KMDLNJ-së se gjatë arrestimit, marrjes në pyetje dhe gjatë qëndrimit në këtë qendër trajtimi i tyre ka qenë në përputhje me ligjin. Ata janë njoftuar me të drejtat e tyre, kanë angazhuar avokatë dhe se sjelljen e policëve të Kosovës dhe EULEX-it e cilësojnë si korrekte. Edhe sjellja e policëve në Qendrën e Ndalimit, sipas deklaratës së tyre është korrekte. Monitorues të KMDLNj-së biseduan edhe me oficerët dhe përgjegjësin e Qendrën për Ndalim, z.Sokol Maxharraj. KMDLNj vlerëson pas këtij monitorimi nuk ka pasur shkelje të drejtave të njeriut ndaj personave të ndaluar dhe njëkohësisht thekson kushtet jo të mira në të cilat punon stafi i kësaj qendre./KOSOVASOT/