Kalo te lënda

Reichel: Liberalizimi i vizave shpresë e vonuar për shqiptarët!

Udhëtimi pa viza për në BE, për kosovarët është duke ardhur, por për këtë institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës duhet të punojnë shume. Në këtë drejtim ka progres dhe drita në fund të tunelit është duke u rritur.

Kështu është thënë të enjten në konferencën me temën “Liberalizimi i Vizave: çka nënkupton për të rinjtë kosovar”, organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik në bashkëpunim me Grupin e Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Kosovës.

 

Në konferencën që u diskutua për procesin e Liberalizimit të Vizave, pos deputeteve të Rinj të Kuvendit të Kosovës pjesëmarrës në panel ishin edhe zyratarë të institucioneve të Kosovës si dhe ambasadorët e shtetit të Francës dhe Gjermanisë.

 

Me këtë rast, gjatë fjalimit të tij, ambasadori Gjerman ne Kosovës, Ernst Reichel, u bëri me dije institucioneve vendore se për të realizuar liberalizimin e vizave, Qeveria e Kosovës, së bashku me qeveritë lokale, duhet të punojë shumë, që ky proces të vijë më shpejt. Ndërkohë, ai u shpreh se drita në fund të tunelit ka filluar të zmadhohet.

 

Nga ana tjetër, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, vlerësoi se Qeveria e Kosovës, por edhe ministria që drejton ajo, janë duke punuar intensivish në përmbushjen e kritereve të parashtruara nga BE-ja, për liberalizimin e vizave. Ajo konsideron se Kosova është ngarkuar me tepër, me numrin e kritereve se sa disa vendet të tjera.

 

“Ne si institucione po bëjmë shumë që të gjitha kriteret që janë parashtruar në udhërrëfyes t’i përmbushim në një afat rekord. Unë dua t’ju siguroj se ka një konsensus të plotë politik. Nuk ka asnjë subjekt politik në Kosovë, i cili i ka parashtruar pengës Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane në tërësi dhe liberalizimit të vizave në veçanti. Unë kam pasur kënaqësinë që gjatë vitit të kaluar, por edhe gjatë këtij vitit të punoj shumë ngushtë me të gjithë kryetarët e komunave, të cilët kanë bërë një punë kolosale në përmbushjen e një prej kritereve më sfiduese që e kemi pasur ne në rrugën e Liberalizimit, atë të riatdhesimit të personave të riatdhesuar”, ka thënë Çitaku.

 

Ndërkaq, Ganimete Musliu, udhëheqëse e Grupit të Deputetëve të rinj në Kuvendin e Kosovës, ka theksuar se të rinjtë e Kosovës kanë potencial të kontribuojnë fuqishëm në proceset integruese nëpër të cilat po kalon Kosova.

 

Kurse, Robert Benjamin, drejtor regjional për programet në Evropën Qendrore dhe Lindore në Institutin Kombëtar Demokratik , ka pohuar se Instituti që drejton ai, ka punuar me një pasion dhe një punë të pa lodhshme me kolegët nga Kosova, për proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian.

 

Gjatë muajt maj të këtij viti, Komisioni Evropian kishte miratuar vendimin që Kosovës edhe zyrtarisht t’i ofrohet udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, që përmbante 95 kritere që shteti i Kosovës duhet përmbushur nëse dëshiron liberalizim të vizave. Ndërsa më 1 shtator Kosova i dorëzoi Komisionit Evropian një raport për të arriturat në këtë proces dhe punën që është duke u bërë në këtë drejtim nga shteti i Kosovës./standardi.info

Lini një koment