Pacolli dhe Ejupi zbulojnë “emisarët” e Dino Asanajt
Behgjet Pacolli e Remzi Ejupi kanë denoncuar Ukë Rugovën, Astritë Haraqinë, gazmend Abrashin e Naser Osmanin se u kanë kërkuar miliona euro në mënyrë që AKP-ja të mos ua merrte hotelin “Grand” në Prishtinë, shkruan Koha Ditore. Oferta, sipas tyre, kishte nisur me katër milion euro dhe kishte përfunduar në një milion. Të fundit e kishte bërë Naser Osmani.
Kaq para do të duheshin, sipas denoncuesve, që hoteli “Grand” në Prishtinë të mos u merrej atyre nga Agjencia Kosovare e Privatizimit siç ndodhi më vonë. Ata janë identifikuar nga Pacolli dhe Ejupi, si sekserë të Dino Asanajt. Kanë përmendur edhe venë e Dino Asanajt, Adelina Reçicën, si person kyç për të ndikuar te bashkëshorti I saj dhe si e pranishme në një takim në hotelin “Swiss Diamond”.
Por të akuzuarit nga Pacolli dhe Ejupi I kanë mohuar akuzat. Zëvendëskryeministri I parë I Kosovës, Behgjet Pacolli, dhe biznesmeni Remzi Ejupi, të cilëve para pak kohësh iu mor hoteli me vendim të Bordit të AKP-së kanë denoncuar në Polici këta zyrtarë për kërkim ryshfet në emër të të ndjerit Dino Asanaj, I cili bëri vetëvrasje para dy muajsh në zyrën e tij në Prishtinë.
Në një rast Remzi Ejupi ka arritur që ta incizojë me telefonin e tij “Blackberry” pronarin e rrjetit të supermarketeve “Maxi”, Gazmend Abrashi, gjersa i kërkonte katër milion euro Behgjet Pacollit për ta rregulluar punën e hotelit.
Gazeta “Koha Ditore”, ka dëgjuar këtë audioincizim tek I cili konfirmohet kërkimi I këtyre milionave në këmbim të mosmarrjes së “Grandit”, si dhe ka siguruar dëshmitë e dhëna në Policinë e Kosovës nga Pacolli dhe Ejupi.
Zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, fillimisht i ishte ofruar deputeti I LDK-së, Naser Osmani, I cili në atë kohë ishte anëtarë i Bordit të AKP-së dhe kryetarë I Komisionit për çështjen e “Grandit”.
Pak kohë më vonë në shtëpi I kishin shkuar kolegu I tij në Qeveri, zëvendësministri i Financave, Astrit Haraqija dhe kryetari I Listës “Ibrahim Rugova”, Ukë Rugova, të cilët janë në një koalicion qeverisës me Pacollin.
Në këtë takim “urgjent”, sipas Pacollit, I kishin kërkuar tre milion e 600 mijë euro “për të kryer punë” për “Grandin”. Ata janë identifikuar nga Remzi Ejupi kohë më parë si sekserë të Dino Asanajt, I cili ka vdekur nga plagët e marra me thikë që I ka shkaktuar vetes./Indeksonline/

