‘Milionerët’ në burg
Policia e Kosovës pas një hetimi disamujor ka arrestuar pesë persona të cilët kishin shtypur në një shtypëshkrojnë private afër një milion dollarë amerikanë. Bashkë me paratë janë konfiskuar edhe disa pajisje të cilat kishin mundësuar prodhimin e dollarëve. Shpend Maxhuni tha se ky është edhe një përkushtim i policisë për luftimin e krimit të organizuar.Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona nën dyshimin se ata kanë prodhuar në një shtypshkronjë rreth 1 milion dollarë amerikanë. Goditet një rrjet i krimit të organizuar
Në një konferencë për media, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni deklaroi se hetimet rreth këtij rasti kanë zgjatur disa muaj dhe ka rezultuar të jetë mjaft i suksesshëm.
“Edhe ky operacion në vazhdën e sukseseve të Policisë së Kosovës dëshmon përkushtimin, seriozitetin dhe nivelin tepër profesional të Policisë së Kosovës për të përmbushur mandatin që është parandalimi dhe luftimi i të gjitha formave të krimit, e mbi të gjitha i krimit të organizuar “, ka thënë Maxhuni.
E, drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, major Emin Beqiri tha se hetimet lidhur me rastin janë zhvilluar në Gjilan dhe Prishtinë dhe kanë arrestuar pesë persona me dyshimin që kanë kryer veprën penale, falsifikim i parasë dhe krim i organizuar dhe janë konfiskuar 980 mijë dollarë.
“Personat e arrestuar janë AV, i lindur më 1949, FB i lindur më 1977, RL i lindur më 1957, FL i lindur më 1981, VL i lindur më 1988. Paratë e dyshuara janë gjetur gjatë bastisjes në Gjilan dhe i njëjti operacion ka vazhduar edhe në rajonin e Prishtinës, i cili ka rezultuar me konfiskimin e disa pajisjeve të tjera”, ka thënë Beqiri.
Të arrestuarit janë Avdi Bunjaku, Fatmir Bunjaku, Ramadan Latifi, pronar i shtypshkronjës “Verona”, në të cilën janë shtypur paratë, si dhe Fidan e Vigan Latifi. Sipas Beqirit, paratë janë të një “kualiteti të lartë” dhe mirë të sofistikuara.
E, zyrtarë nga Prokuroria kanë thënë se arrestimi i këtyre pesë personave ka ardhur pas një hetimi të përbashkët të policisë së Kosovës dhe Prokurorisë.
“Gjatë kontrollimit te dy të dyshuarit e parë, janë gjetur dhe konfiskuar 980 mijë dollarë amerikanë të falsifikuar, e të cilat para dyshohet se janë prodhuar në shtypshkronjën “Verona” në Prishtinë, pronë e të dyshuarit R.L”, thuhet në një komunikatë të Prokurorisë.
Me urdhër të prokurorit, të dyshuarve u është caktuar ndalimi policor, ndërkaq janë konfiskuar edhe makinat për prodhimin e parave të falsifikuara. Hetimet për këtë rast do të vazhdojnë nën autorizimet dhe mbikëqyrjen e Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë./standardi.info