Krasniqi: EULEX-i po bën shkelje në “rastin Limaj”
Kreu i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, në një intervistë dhënë “Radio Dukagjinit”, i ka bërë thirrje përfaqësueseve të EULEX-it që të zbatojnë praktika të punës si në vendet nga vijnë.
Kryeparlamentari Krasniqi veçanërisht është ndalur te “rasti Limaj”, ndërsa ka shprehur dyshimet e tij lidhur me këtë çështje.
“Për mua është mënyra e dyshimtë, mua nuk më intereson nga vije, mua më intereson që EULEX-i të vendosë standarde në ndjekje, e jo të mos përfillen standardet dhe ligjet”, ka thënë Krasniqi.
“Ka plotë dy vite pas asaj ndërhyrje (bastisjes) dhe nuk ka pas material për t`u ngritur një aktakuzë. Dhe pasi është mbyll ai proces me 23 prill, prokuroria është dashtë të dal ose me akuzë ose me tërheqje. Nuk e kanë bërë asnjërën e as tjetrën dhe po shihet qartë se këtu po bëhen shkelje procedurale e ligjore”, ka thënë Krasniqi.
Ditë më parë ish-ministri i Transportit, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj është thirrur prapë në Prokurorinë speciale të e EULEX-it. Kjo thirrje është bërë për nënshkrimin e procesverbalit të seancës dëgjimore të datës 20 mars të këtij viti.
Avokati mbrojtës i Fatmir Limajt, Tahir Rrecaj, ka thënë se prokurori ka tentuar që ta marrë në pyetje prapë Fatmir Limajn, por, sipas tij ky hetim është i kundërligjshëm për arsye se hetimet kanë përfunduar në muajin prill. Ai theksoi se lidhur me këtë rast prokurori nuk i ka dhënë asnjë shkresë të lëndës.
Prokurori i EULEX-it, Johannes Picke, po zhvillon hetime të reja kundër Fatmir Limajt. Ky prokuror ka zgjeruar hetimet kundër Demir Limajt dhe Endrit Shalës, që lidhen me ish-ministrin e Transportit, Fatmir Limaj, dhe ka nxjerrë vendim për nisje të hetimeve kundër Florim Limajt. /Telegrafi/