Flet Fatmira Hajdari: Bisedat e mia me Azemin para vrasjes
Fatmira, bashkëshortja e Azem Hajdarit, në një interviste për “GSH”-në rrëfen copa të jetës bashkëshortore dhe tronditjen e thellë që pasoi nga vdekja e tij. Ajo tregon se me Azemin janë njohur tepër të rinj, kur ai ishte në vit të tretë të shkollës profesionale në Tiranë, ndërsa ajo në vitin e parë. “Mbaj mend që më ka thënë: ‘Ti do të bëhesh nusja ime…’ dhe brenda pak ditësh unë nuk kam arritur të lajmëroj familjen time dhe jemi nisur për Bajram Curri”, tregon Fatmira. Vajza nga Librazhdi rrëfen se në shtëpinë e Azemit gjeti një mjedis të ngrohtë familjar. “Më kujtohet që i ati i Azemit më mori veçmas dhe më pyeti: Moj bijë, të ka rrëmbyer im bir, apo ke ardhur me dëshirë? I thashë: E dua djalin tënd dhe kam ardhur të bëhem nusja e kësaj shtëpie. Njerëzit e Azemit ishin shumë të dashur dhe aty kuptova mjedisin ku ishte rritur Azemi”, rrëfen ajo. Më pas çifti fillon jetën në Bajram Curri, duke filluar studimet e ndërprera në gjimnaz dhe punë. Më pas Azemi fillon studimet e larta për filozofi, kohë që përkon edhe me fillimin e Lëvizjes së Dhjetorit. “Unë jetoja akoma në Bajram Curri dhe mbaj mend se disa ditë përpara erdhi në shtëpi. Sapo u fut, rrëmbeu foton e Enver Hoxhës nga muri dhe e shkelmoi. I ati i tha: Me çfarë guximi i vë shqelmin…? Por Azemi iu kthye babait të vet duke i thënë: Ky njeri na ka mashtruar të gjithë shqiptarëve. Koha e tij ka mbaruar njëherë e përgjithmonë”, pohon Fatmira. Ajo tregon se në atë kohë Azemi i kishte kërkuar të ndaheshin duke i thënë: “Unë kam nisur një rrugë të vështirë nga e cila nuk dihet nëse do të dal gjallë apo jo, kështu që ti më mirë ndahu nga unë dhe shiko jetën tënde dhe të fëmijëve, pasi prej meje mund të jesh e rrezikuar”. Por nusja Hajdari e refuzon kategorikisht këtë kërkesë të tij. “Kjo s’ka për të ndodhur kurrë, sepse unë do të mbështes deri në vdekje”. Pasi u shemb komunizmi, ata së bashku vendosen në Tiranë dhe duket se jeta e tyre ishte e trazuar. Fatmira tregon se edhe me 12 shtator të ‘98-ës, ndonëse Azemi kishte qenë i lumtur pas mitingut në Fier, ajo po përjetonte shqetësim. “Kam pasur ankth tre muajt e fundit. Kishte shumë kërcënime. Por mua nuk më thoshte se isha shtatzënë. Unë ndërkohë kisha marrë një telefonatë nga ministri i Rendit, Perikli Teta, që më tha se Azemi nuk i hapte telefonin. Z. Teta më tha që unë t’i thosha Azemit për çdo lëvizje ta merrte atë në telefon. I thashë këtë Azemit me shqetësim, por ai qeshi”. Dhe përgjigja e Azemit ishte: “Nuk e di nëse do më ruajnë apo do të më vrasin vetë këta”. Fatmira rrëfen se pas atentateve ajo i ka kërkuar vazhdimisht që ai të ikte nga Shqipëria, por sipas saj ai ndjente përgjegjësi për luftën e Kosovës. Ajo tregon se vrasjen e Azemit e ka mësuar nga një telefonatë, që e ka udhëzuar të ndezë televizorin. “Nuk mund t’i heq nga memoria ato çaste. Reiz Çiço jep lajmin. Kam bërtitur shumë, ka bërtitur dhe djali, Kiri. Ka thyer xhamat. Nuk e besoja se Azemi nuk jetonte më. Mendoja se kishte shpëtuar edhe këtë radhë. Por kur erdhën njerëzit, e kuptova se kishte mbaruar”. Ajo pohon se pengu i saj është që nuk arriti ta shohë Azemin në spital. “Më ka mbetur peng. E pashë Azemin pas 24 orëve… Atë natë nuk e kanë nxjerrë nga morgu…” Fatmira nënvizon se vrasja e Azemit është një vrasje politike dhe se i takon politikës për ta zbardhur, por nuk e mënjanon dot frikën se e vërteta e zbardhjes së vrasjes së Azem Hajdarit do të ndodhë ndonjëherë.