Dallavere në KPM, Ukaj fsheh postin, lajthit ligjvënësit
Kryetari i sapozgjedhur i Komisionit të Pavarur të Medieve (KPM), Shefki Ukaj, konsiderohet se ka bërë shkelje ligjore kur është kandiduar për anëtar të KPM-së, derisa ishte asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Anëtarët e komisionit “ad hoc” për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Komisionit të Pavarur të Medieve konsiderojnë se Ukaj i ka qitur në “lajthitje” jo vetëm Komisionin “ad hoc” por edhe Kuvendin e Kosovës, duke mos treguar se në të njëjtën kohë është asamblist i KK të Prishtinës.
Ndërkaq, vetë Ukaj ka deklaruar të mos e ketë ditur se kandidimi i tij përbën konflikt interesi.
Idriz Vehapi, anëtar i këtij komisioni nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se zgjedhja e Shefki Ukajt është e kundërligjshme. Mirëpo, siç ka thënë ai, Ukaj si kandidat e ka fshehur postin si asamblist.
“Ky e ka fshehur postin si asamblist dhe ne si komision e kemi kualifikuar por më vonë ka dalë që ky të ketë edhe funksion tjetër, i cili ia ndalon kandidimin për KPM dhe se është në kundërshtim me Ligjin për KPM”, ka thënë Vehapi, sipas të cilit, Ukaj si kandidat ka bërë shkelje ligjore duke e fshehur postin e tij.
“Megjithatë, përgjegjësinë duhet ta thonë ekspertët ligjorë, mirëpo ai duhet të japë dorëheqje nga KPM-ja, sepse ky përfundimisht nuk ka pasur të drejtë të kandidojë”, ka thënë Vehapi.
Ai ka thënë se po ta kishte bërë publike pozitën e tij, Komisioni “ad hoc” nuk do kishte marrë në konsideratë kandidimin e tij. “Ai më këtë veprim e ka lajthitur komisionin”, ka thënë Vehapi për gazetën Zëri.
Edhe Teuta Haxhiu, anëtare e komisionit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se Ukaj nuk ka prezantuar në CV-në e tij që është asamblist në KK të Prishtinës.
“Ne nuk e kemi pasur një informatë të tillë. Ne këtë e kemi proceduar në Kuvend dhe Kuvendi ia ka dhënë votën. Me këtë çështje konsideroj që duhet të merret gjykata dhe të ecet më tutje. Ky është konflikt i pasur interesi”, ka thënë Haxhiu.
Sipas saj, Ukaj duhet të zgjedhë se cilin post duhet ta mbajë, mirëpo edhe gjykata duhet të merret me këtë çështje.
Ndërkaq, vetë Shefki Ukaj ka deklaruar se në CV-në e tij e ka shkruar edhe pozitën si asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Sipas tij, askush nuk i ka thënë se kandidimi i tij është konflikt interesi. “Unë kam kandiduar në mënyrë legjitime dhe në mënyrë legjitime i kam marrë votat e deputetëve”, ka thënë Ukaj, duke konfirmuar dorëheqjen e tij menjëherë pas zgjedhjes në KPM.
“Unë posa i kam marrë 58 vota kam dhënë dorëheqje dhe me datën 4 shtator e kam deponuar dorëheqjen time në KK të Prishtinës, sepse kam konsideruar se duhet të punoj për KPM dhe automatikisht unë kam zgjedhur KPM-në”, ka thënë Ukaj.
Sadri Ramabaja, asamblist nga Vetëvendosje në KK të Prishtinës, ka thënë se Shefki Ukaj është asamblist në Kuvendin Komunal, i cili ka ardhur në vend të Arsim Janovës.
“Ky ende zyrtarisht është pjesë e kuvendit dhe se kandidimi i tij për në KPM është konflikt interesi dhe e kundërligjshme. Ky veprim bie ndesh edhe me parimet morale dhe njerëzore, sepse ka lajthitur komisionin. Pra, ky është më përgjegjës sesa anëtarët e komisionit, sepse ky ka ardhur së fundi si asamblist dhe ata mund të mos e kenë ditur këtë por nuk përjashtohet mundësia që kjo pos lajthitjes të jetë edhe e qëllimshme”, ka thënë Ramabaja./Indeksonline/