Vritet ambasadori amerikan në Libi
Bengazi, 12 shtator – Vdekjeprurës ishte sulmi që iu bë mbrëmjes së djeshme selisë diplomatike amerikane në Bengazi të Libisë. Sipas lajmit të bërë publik nga Al Jazeera, ka humbur jetën ambasadori amerikan në Libi, Chris Stevens, si dhe 3 zyrtarë të lartë pranë Konsullatës Amerikane.
Ende nuk dihet nëse ambasadori ndodhej në makinën e tij apo brenda në konsullatë, gjatë sulmit. Sekretarja e Departamentit të Shtetit, Hillary Clinton, konfirmoi se një punonjës i State Department u vra gjatë një sulmi të personave të armatosur kundër konsullatës amerikane në Bengazi, por pa dhënë detaje të tjera.
“Me zemër të copëtuar pranuam këtë humbje të madhe”, u shpreh Clinton për incidentin dhe shtoi se Uashingtoni po bashkëpunon me vende të tjera në botë, me qëllim që të mbrojë trupat diplomatikë, pas dhunës së ushtuar para ambasadës amerikane në Egjipt dhe sulmit në qytetin e dytë më të madh të Libisë, në përvjetorin e 11 Shtatorit.
Dhuna në Libi u përshkallëzua pas protestave të qindra manifestuesve, të cilët sulmuan Konsullatën e SHBA-së në Bengazi të Libisë. Shkak i këtyre protestave ishte filmi i regjisorit Sam Bacile, me titull “Pafajësia e Myslimanëve”. Sipas manifestuesve, ky film që flet për jetën e Profetit Muhamed, fyen Islamin.
Ndërkohë, sipas gazetës “Wall Street Journal”, filmi që shkaktoi episodet e dhunshme, u realizua nga një izraelito-amerikan, i cili e përshkruan Islamin si kanceri. Ky film thuhet se u financuar nga amerikanë hebrenj, por sipas regjisorit, është “një film me karakter politik dhe jo fetar”.