Serbët e Kosovës marrin nga tre paga në muaj
Mjekë, mësues, zyrtarë të institucioneve lokale dhe punëtor në institucione publike në Kosovë punojnë vetëm një punë dhe marrin nga 3 paga. Këto paga në fund të muajit ata i marrin nga Qeveria e Serbisë dhe kompani tjera nga Beogradi dhe 50 për qind pagë nga “shtesat për Kosovën”, të cilat i marrin të gjithë të punësuarit serb në Kosovë.
E përditshmja serbe “Novosti” shkruan se përveç kësaj me anë të kontratave të ndryshme të fshehta këta serbë marrin paga edhe nga Qeveria e Kosovës.
Kohë më parë edhe Aleksandër Vulin, shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, ka paralajmëruar se keqpërdorimet me paga në kompanitë publike në Kosovë do të ndërpriten.
“Ky problem ekziston qe një dekadë, por shteti, për shkak politikës ndaj Kosovës, pagat e dyfishta për të punësuarit i ka shikuar përmes gishtave”, shkruan “Novosti”.
Sipas kësaj gazete, numrin e saktë të punëtorëve që marrin paga nga Prishtina askush nuk e di, sepse kontratat janë të fshehta, kurse “institucionet serbe” nuk kanë mundësi ndërhyrje për t’i kontrolluar pagat, për shkak të mos bashkëpunimit me “institucionet e Prishtinës”
Sipas Goran Bogdanoviq, ish-ministrit për Kosovë, kjo çështje mund të zgjidhet vetëm nëse ka vullnet nga ana e drejtorëve të këtyre shkollave, spitaleve dhe qeverive lokale .
“Jozyrtarisht thuhet se rreth 80 për qind nga gjithsej 5000 edukator pranojë pagë nga administrata e Hashim Thaçit. Paga e tyre është rreth 40.000 dinarë, kurse edhe 20.000 i marrin si shtesë, po ashtu edhe rreth 200 euro nga Prishtina”, raporton kjo gazetë.