Sarajevë: Aksion i madh për arrestimin e Naser Kelmendit
Në aksionin e sotëm në Sarajevë, Zvornik, Trebinje dhe Bijeljine janë arrestuar 25 persona. Mediat boshnjake raportojnë se cak i këtyre bastisjeve dhe arrestimeve ishte biznesmeni kontrovers, Naser Kelmendi.
Naser Kelmendi, nga Peja, por me nënshtetësi malazeze dhe boshnjake, dyshohet se është udhëheqës i një grupi të madh kriminel që aktivitetet i ka të shtrira në Mal të Zi dhe Bosnjë, theksojnë mediat boshnjake.
Në dy aksione policore – “Kukulla” dhe “Imperial”, në rajonin e Republikës Serbe të Bosnjës dhe në Federatën Boshnjake, herët në mëngjes janë arrestuar 25 persona dhe janë bastisur 30 lokacione, ka konfirmuar drejtori i policisë së Republikës Serbe, Gojko Vasiq.
Pjesëtarët e SIPA-s kanë bastisur në 4 të mëngjes hotelin e Naser Kelmendit “Kaza Grande” në Ilixhi të Sarajevës, mirëpo pronari i hotelit nuk është gjetur.
Për Naser Kelmendin dyshohet se aktualisht ndodhet në Mal të Zi, mirëpo policia e Malit të Zi ka mohuar se ai ndodhet në territorin e tyre. (ORAinfo)