Përkujtohet Azem Hajdari, lule në memorialin “Nderi i Kombit”
Pa veprën, diturinë dhe kurajon e Azem Hajdarit nuk dihet se si do të vinim në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë, dekalroi kryeministri Berisha në ceremoninë përkujtimore tek memoriali i heroit të dëmokracisë, aty ku Azem Hajdari dhe Besim Çera u vranë 12 shtatorin e 14 viteve më parë. Familjarët, drejtuesit e Partisë Demokratike dhe dhjetëra qytetarë nderuan veprën e liderit të lëvizjes studentore që i dha fund regjimit komunist në Shqipëri, ndërsa një sërë kurorash me lule u vendosën në memorialin“Nderi i Kombit Azem Hajdari”.
““Sot ne nderojmë me respekt, mirënjohje të pakufishme, së bashku me të gjithë shqiptarët, kujtimin e tribunit të lirisë së shqiptarëve, Azem Hajdarit, udhëheqësit të lëvizjes studentore dhe Partisë Demokratike dhe të sivllaut të tij Besim Çeres që u ekzekutuan në këtë vend nga banda të qeverisë në aktin më makabër, në vrasjen e shekullit për shqiptarët. Ne nderojmë sot Azem Hajdarin në këtë 100 vjetor të pavarësisë sonë, por mendimi i parë që na vjen natyrshëm në mendje të gjithë shqiptarëve është se pa veprën e tij , pa trimërinë e tij, pa kurajën e tij, asnjë nga ne nuk e merr me mend se si do të ishim sot në 100 vjetorin e pavarësisë. Ishte trimëria, heroizmi, guximi i jashtëzakonshëm i këtij tribuni legjendar, që në krye të lëvizjes studentore u përball në dhjetorin e ‘90 me diktaturën më të egër që Evropa kishte njohur pas lufte, zhvilloi një betejë në limitet e legjendës në rrugët dhe sheshet e këtij qyteti dhe e mundi atë”, vlerësoi Berisha.
Kryeministri tha se shqiptarët e lirë sot askujt nuk i detyrohen më shumë se sa Azem Hajdarit.
“Ai hapi për shqiptarët dyert e lirisë, hapi për shqiptarët dyert e dinjitetit dhe në rast se sot ne jemi të lirë, në rast se sot ne jemi njerëz me dinjitetin e njerëzve të lirë, ia detyrojmë këtë, më shumë se çdokujt tjetër Azem Hajdarit dhe atyre studentëve që ai udhëhoqi me aq mençuri në dhjetorin e vitit ‘90. Nderojmë ne sot kujtimin e Besnik Çerës, një demokrat i thjeshtë, por vëlla në ideale, në shpirt dhe në zemër me tribunin e lirisë Azem Hajdari, i cili ra këtu në krye të detyrës. Vepra e tribunit të lirisë bëhet gjithnjë e më madhe sa më të mëdha të jenë vlerat e lirisë për shqiptarë, sa më shumë ata ti vlerësojnë ato si pasurinë e tyre më të çmuar, aq më shumë ndrit kjo vepër e Azem Hajdarit dhe studentëve të dhjetorit”, deklaroi kreu i mazhorancës qeverisëse.
Në emër të presidentit të Republikës Bujar Nishani u vendos gjithahtu një kurorë me lule pranë memorialit nga anëtarët e stafit të tij, Fatbardh Spahia dhe princi Leka. Këtë vit kushdo mund të linte një shënim përkujtimor në stendën ngjitur në nderim të Azem Hajdarit dhe Besim Çerës.
