Nëna e Nazim Ballcës: Fahredini ia solli “pagën” në shtëpi
Në dëshminë e saj, Nixhare Bllaca deklaroi se e njihte Fahredin Gashin dhe se ishte takuar me të menjëherë pas luftës, kur ai ia kishte sjellë Nazimit rrogën në shtëpi. Ishin 130 marka të atëhershme gjermane, për të cilat Nazimi i kishte thënë nënës se janë në shenjë ndihme për disa luftëtarë që ishin më të mirë.
Gjykimi në rastin e njohur si Bllaca II ka vazhduar të mërkurën, kur në cilësinë e dëshmitares, para panelit gjykues është paraqitur nëna e Nazim Bllacës.
Nixhare Bllaca, fillimisht u mor në pyetje nga prokurorja e rastit, Emma Rizato, më pastaj edhe nga mbrojtësit e të akuzuarve dhe vetë të akuzuarit. Të pranishëm në gjykim ishin pesë të akuzuarit Sadik Abazi, Driton Hajdari, Bekim Syla, Shaban Syla dhe Shpresim Uka. Ndërsa i akuzuari kryesor, Fahredin Gashi, nuk ishte i pranishëm, për shkak të veçimit të procedurës ndaj tij, për shkaqe shëndetësore.
Në dëshminë e saj, Nixhare Bllaca deklaroi se e njihte Fahredin Gashin dhe se ishte takuar me të menjëherë pas luftës, kur ai ia kishte sjellë Nazimit rrogën në shtëpi. Ishin 130 marka të atëhershme gjermane, për të cilat Nazimi i kishte thënë nënës se janë në shenjë ndihme për disa luftëtarë që ishin më të mirë, raporton Gazeta JNK.
Ajo tha se Fahredinin e njihte si shok të Nazimit, dhe se ai kishte ardhur në shtëpinë e tyre edhe disa herë të tjera.
Avokati mbrojtës, Iliaz Kadolli, e pyeti nëse kishte vërejtur ndonjë shqetësim tek Nazimi, për gjendjen shëndetësore të tij dhe për personalitetin e tij, për ndryshim nga djemtë tjerë të saj. “Ma i qetë e ma i shlirë se Nazimi nuk ka qenë asnjë nga 6 djemtë e mi”, deklaroi ajo, para panelit gjyqësor.
Në pyetjen e mbrojtjes nëse kishte dëgjuar për vrasjen e Ibush Kllokoqi nga djali i saj, dëshmitarja deklaroi qe nuk ka qenë në dijeni dhe për herë të parë kishte dëgjuar në televizion.
Nëna e Nazim Bllacës tregoi se nga paslufta e kishte parë më rrallë djalin e saj. Madje në një periudhe prej dy vitesh, nuk ishte në dijeni fare se ku ndodhej ai. “Ka thënë se ka qenë në Kroaci për 6 vjet, ndërsa unë 2 vjet nuk kam ditë se ku është”.
Në gjykimin e sotëm ishte paraparë të dëshmonte edhe vetë Nazim Bllaca, me propozimin e prokurorisë; mirëpo në momentin e fundit, prokuroria e pa të panevojshme dëshminë e tij.
I akuzuari Shpresim Uka deklaroi se ka pritur që në seancën e sotme, të paraqitej edhe vetë Nazim Bllaca, për çka ishte përgatitur 24 orë me pyetje për disa paqartësi në dëshminë e tij. Prandaj, ai kërkoi nga trupi gjykues që Bllaca të sillej përsëri në gjykatë.
Paneli i gjykatësve refuzoi këtë kërkesë më arsyetimin se Nazim Bllaca kishte qenë në 7 seanca, në të cilat kishte mundësi të merrej në pyetje edhe nga mbrojtja dhe të akuzuarit.
Në seancën e sotme të mbajtur në ambientet e Gjykatës Supreme, kishte kundërshtime nga mbrojtja dhe vetë të akuzuarit për provat materiale. I akuzuari Shaban Syla kërkoi të dinte nga trupi gjykues për provat e incizimeve, nëse ato ishin prova të autorizuara dhe nëse ishte bërë ndonjë ekspertizë në lidhje me to.
Të njëjtës kërkesë iu bashkëngjitën edhe avokati tij Haxhi Millaku dhe avokati i Shpresim Ukës, Basri Jupolli. Ky i fundit deklaroi se do t’i drejtohet me shkrim gjykatës për kundërshtimin e pranueshmërisë së provave të incizuara që janë paautorizuara.
Seanca e radhës do të mbahet më 14 shtator, kur do të paraqiten 4 dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja. (ORAinfo)