Kuçi: Ishin vetëm kontakte fizike
Pas zërave se mbrëmë në Pejë është zhvilluar një takim mes katër zyrtarëve të lartë të PDK-së dhe AAK-së, Hashim Thaçi, Hajredin Kuçi, Blerim Shala dhe Daut Haradinaj, për të diskuar rreth një koalicioni të mundshëm në mes të PDK-së dhe AAK-së, ka reaguar Hajredin Kuçi.
Ai ka thënë se pjesëmarrja e tyre në Pejë ka qenë për nderë të ambasadorit Frank Wisner, për punën e tij që ka bërë ndaj Kosovës, e jo për ndonjë qëllim tjetër. Sipas Kuçit, kontaktet fizike me përfaqësues të AAK-së nuk ua ndërrojnë mendjen krerëve të PDK-së për ndryshimin e koalicionit qeverisës.
“Kryeministri Thaçi, aty ka luajtur rolin e tij. Ne nuk jemi në hasmëri me askënd. Kontaktet fizike nuk na e ndërrojnë mendjen. Por është simbolik e mirë me i pa njerëzit e pozitës dhe opozitës bashkë dhe Kosova është një shembull i mirë në ketë drejtim”, ka thënë Kuçi, duke shtuar se ata janë të gatshme që të vizitojnë komunën e Prishtinës dhe të takojnë zyrtarët e saj si dhe çdo komunë tjetër, siç kanë bërë një natë më parë me komunën e Pejës.
Ndryshe, mediat kanë shkruar se takimi mes zyrtarëve të dy partive ka ndodhur pas manifestimit që ishte organizuar për ndarjen çmimit “Hasan Prishtina” për ish-ndërmjetësin amerikan në bisedimet Kosovë-Serbi, Frank Wisner.