Kalo te lënda

Autorizohet hapja e tenderit për shitjen e aksioneve të PTK-së

Komisioni Qeveritar i Privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës ka dhënë autorizimin në mbledhjen e mbajtur të martën për hapjen e tenderit për shitjen e 75 për qind të aksioneve të kësaj ndërmarrjeje publike.

Vendimi i këtij komisioni për hapjen e tenderit për shitjen e PTK-së është marrë 11 ditë më vonë sesa planifikimi dhe data e përcaktuar si finale në marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Na bazë të vendimit Ministria e Zhvillimit Ekonomik obligohet që të hapë procedurat për këtë tender dhe të caktohen afatet për dorëzimin e ofertave të kompanive të kualifikuara.

“Pjesë të dokumenteve tenderuese të miratuara sot nga KQP janë udhëzimet për tenderuesit, drafti i marrëveshjes së shitblerjes dhe drafti i marrëveshjes së aksionarëve të ardhshëm në PTK”, thuhet në vendimin e Komisionit Qeveritar të Privatizimit.

Në bazë të këtyre dokumenteve të miratuara nga KQP-ja, kompanitë e parakualifikuara ftohen të bëjnë shqyrtimet e tyre analitike dhe të marrin pjesë në garë për blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

Në bazë të vendimit të paraprak të këtij komisioni, kompanitë që kanë të drejtën e pjesëmarrjes në tenderin e PTK-së janë: “Albright Capital Management LLC” në bashkëpunim me “Portugal Telecom”, “Columbia Capital” në konsorcium me “ACP Axos Capital Gmbh” dhe bashkëpunim me “British Telecom– Poloni”, “M1 International Limited”, “Turkcell”, si dhe “Twelve Hornbeams” në konsorcium me “Avicenna Capital LLC” dhe bashkëpunim me “Sofrecom” pjesë e “France Telecom”. Nga Ministria e Zhvillimit nuk është konfirmuar nëse kompania kosovare “Elkos Group” e ka të drejtën e pjesëmarrjes në tender, meqë e njëjta ishte përjashtuar nga gara në vlerësimin e komisionit, shkruan gjerësisht sot “Koha Ditore”.

Lini një koment