Xhemajli vjen në vend të Sylës
Komisioni për verifikimin e pjesëtarëve të UÇK-së, shumë shpjet pritet që të bëhet me udhëheqës. Azem Sylën ish kreun e këtij komisioni, pritet ta zëvendësojë kryetari i tanishëm i veteraneve të luftës Muharrem Xhemajli.
Komisioni i cili përbëhet nga 15 anëtarë, janë pajtuar që kryetar të jetë Xhemajli, ndonëse ky emërim ende nuk është bërë zyrtar. E kjo do të bëhet më së largu deri në fund të javës.
Këtë e ka konfirmuar për Express, kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili në Komision përfaqëson Zonën e Drenicës. Lushtaku tha të hënën se të gjithë anëtarët janë pajtuar që kryetar të emërohet Muharrem Xhemajli.
“Ne jemi pajtuar që në krye të Komisionit të jetë kryetari i veteranëve. Kjo do të bëhet zyrtare në takimin që do ta bëjmë së shpejti”, tha Lushtaku.
Edhe Xhavit Jashari që është anëtar i Komisionit, ka deklaruar se kryetari do të zgjidhet qysh në takimin e parë. Ai tha se anëtarët e Komisionit e zgjedhin kryetarin pa përmendur ndonjë emër. “Por më së drejti do të ishte që të zgjidhet dikush brenda grupit”, tha Jashari.
E kryetari i veteranëve, i cili e pati kritikuar shefin e tij të dikurshëm, Azem Sylën, se ka manipuluar me shifrat e veteranëve, nuk është në dijeni se ai do të propozohet për kryetar. Xhemajli tha se nuk është i informuar për këtë, vetëm sqaroi se më së largu deri të enjten, anëtarët e Komisionit do të mblidhen pas dorëheqjes së Sylës./Indeksonline/