“Super-agjendë” për njohje të reja të shtetit të Kosovës!
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe homologu i tij nga Shqipëria, Edmond Panariti kanë bërë të ditur të martën në Prishtinë se qeveritë e dy shteteve do të ndërmarrin një fushatë të fuqishme lobuese për përmbylljen e procesit të njohjeve për Kosovën.
Pas takimit të zhvilluar në margjina të konferencës “ Kaptinë e mbyllur në Ballkan”, ministri Hoxhaj tha se MPJ e Kosovë dhe ajo e Shqipërisë do të forcojnë edhe më tutje bashkëpunimin dhe koordinimin sa i takon përmbylljes së plotë të procesit të njohjeve për Republikën e Kosovës.
“Të dy ne si ministra jemi të vendosur që ta shtyjmë një agjendë shumë agresive, shumë dinamike lobuese dhe e falënderova ministrin për vizitat në pjesë të ndryshme të botës, ku në mënyrë publik dhe zyrtare e ka shtuar kërkesën që këto shtete ta njohin Kosovën”, tha Hoxhaj.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë ka uruar popullon dhe autoritete e Kosovës për ngjarjen historike të heqjes së pavarësisë së mbikëqyrur mbi Kosovën. “Është një dëshmi e konsolidimit dhe e forcimit të institucioneve demokratike të Kosovës, e kapaciteteve të plota të shtetit të ri të Kosovës për të ushtuar pa asnjë kufizim administrimin në të gjithë territorin, me sovranitet të plotë në tërë territorin”, tha Panariti.
Ai theksoi se kjo ngjarje është dëshmi e projektimit të vendosur të shtetit të ri të Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian dhe se dëshmi për këtë janë pa dyshim marrja e udhërrëfyesit për heqjen e vizave dhe studimi i fizibilitetit për marrëveshjen e asocim-stabilizimit. “Këta janë hapa të jashtëzakonshëm cilësor që keni bërë në rrugën drejt konsolidimit të shtetit ligjor, konsolidimit të institucioneve dhe drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Panariti.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë tha po ashtu se Shqipëria dhe Kosova do të rrisin bashkëpunimin për t’i avancuar këto arritje të jashtëzakonshme, e sidomos për të bërë akoma më shumë në bashkëpunim dhe mirëkoordinim midis dy shteteve, për zgjerimin e hartës së njohjeve të reja për Kosovën. “Për të bërë të mundur që Kosova të përfaqësohet denjësisht në institucionet ndërkombëtare me qëllim final edhe anëtarësimin e saj në OKB”. /Telegrafi/