Kalo te lënda

Sejdiu: Për planin e pavarësisë së mbikëqyrur, dëgjova më 2006

Asgjë më pak se shtet i pavarur dhe sovran për qytetarët e Kosovës. Ky ishte caku në të cilin donin të mbërrinin autoritetet kosovare në vitet 2005-2006, atëherë kur bisedimet e Vjenës për përcaktimin e statusit përfundimtar kishin marrë udhë.

Por kjo nuk do të bëhej pa ndihmën e faktori ndërkombëtar. Njëri nga protagonistët e zhvillimeve, drejtuesi i ekipit të unitetit Fatmir Sejdiu kujton se për herë të parë dëgjoi për modelin e shtetësisë së Kosovës në shtator të vitit 2006. Sot ai nga pavarësi e mbikëqyrur ndërkombëtarisht i jep një term më të butë, pavarësi e mbështetur nga ndërkombëtarët.

“Në këtë periudhë të them të drejtën kemi pas shqetësime se çfarë mund të ndodhë, ato janë shprehur në forma të ndryshme, sidomos në pjesën e madhe që janë bërë edhe ndaj Kosovës, presione këto që ka pasur ide që të shkohet edhe përtej asaj që ishte e arsyeshme dhe e kam thënë edhe herat e tjera, këtë ide të qenies së Kosovës shtet i pavarur me një mbikëqyrje ndërkombëtare, unë e kam dëgjuar së pari dhe më është thënë nga presidenti Ahtisaari në shtatorin e 2006, atë kohë që ne mendonim se do ta përfundonim procesin, pavarësisht zhvillimeve që mund të ishin pjesë e përpjekjeve për ta zgjatur, pra dhe jemi dëshmitarë të kohës se ishte e nevojshme që të vazhdohet deri në fundin e 2007 për të ardhur në 2008”, thotë ish-presidenti i Kosovës, raporton TCH.

Në fakt, sipas Sejdiut, edhe deri këtu nuk ishte e lehtë të arrihej sidomos kur kemi parasysh garancitë e forta ligjore që supozohet se duhej dhënë për komunitetet pakicë, veçanërisht për serbët. “Kjo ka shtruar dilemën, nëse Kosova është një shtet ku pakicat kanë të drejta disproporcionale me numrin e tyre”.

“Unë e kam mbështetur si ide dhe është në normën themelore se Kosova është vend i njerëzve të saj, vend që nuk krijon privilegjet dominante për dikë sepse është kësisoj duhet të bëjë shtrengesën e sistemit apo diçka të ngjashme, por një vend që sjell garanci të caktuara edhe për pakicat, por në këtë kuadër edhe vullneti i shumicës duhet te realizohet, sepse s’do ta quaja të suksesshëm një vend nëse shumica nuk e gëzon atë”, thotë Sejdiu. /Telegrafi/

Lini një koment