Pronari i shtëpisë demanton Shukri Bujën (VIDEO)
Në vitin 2003 Prokuroria e Tribunalit të Hagës i ishte kapur fort njërit nga komandantët më të fuqishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Komandant Çelikut-Fatmir Limajt, tash deputet i Partisë së Kryeministrit Hashim Thaçi.
Në procesin hetimor të zhvilluar kundër tij, prokurorët kishin intervistuar edhe një sërë komandantësh tjerë të UÇK-së. Ata intervistuan edhe Komandant “Gazetarin”-Shukri Bujën, tash Kryetar i Lipjanit i ardhur po ashtu nga PDK-ja e Hashim Thaçit, procesverbalin e së cilës ekskluzivisht e botoi Indeksonline.
Prokurorët po mblidhnin fakte për të mbështetur pretendimin e tyre se në fshatin Llapushnik kishte ekzistuar një burg i UÇK-së. Ishte Shukri Buja njëri nga të intervistuarit që konfirmon ekzistencën e këtij burgu, siç mund të kuptohet nga procesverbali i intervistimit tij që ka botuar Indeksonline (Lexojeni të plotë këtë intervistë të Shukri Bujës para hetuesve: ttp://www.indeksonline.net/?FaqeID=2&LajmID=27977).
Por dëshminë e Bujës e demanton pronari i shtëpisë që pretendohet të ketë qenë burgu i famshëm i Llapushnikut.
Pronari i kësaj shtëpi, në një rrëfim para hetuesve të çështjes kundër Limajt, një kopje të së cilit e ka siguruar Indeksonline hedh poshtë pohimet e Komandant “Gazetarit”, tash kryetar i Lipjanit, Shukri Buja, se ka ekzistuar një burg në këtë vend.
Kjo intervistë, që e publikon të plotë Indeksonline, është bërë më qershor të 2003-ës dhe është zhvilluar po në shtëpinë që pretendohet të ketë shërbyer si burg i Llapushnikut.
Gashi këtë rrëfim e fillon duke thënë se “Çdo shqiptar ka qenë pjesë e LDK-së. Tash s’jam anëtarë i asnjë partie”, thotë Gëzim Gashi më 2003.
Për UÇK-në thotë se për herë të parë ka dëgjuar në televizor, kur e vranë komandantin Adem Jashari.
Ai vazhdimisht ka përplasje me hetuesin. Përplasjet tij fillojnë kur ai e pyet se kush ka qen komandant në atë zonë e atij përgjigjet që nuk e di.
Hetuesi këmbëngul: “Nuk njoh asnjë shqiptar që nuk e din kush ka qenë komandant”.
Gashi: “Qe unë jam i pari që po e njihni”.
“Unë nuk kam qen ushtar i UÇK-së. Nuk jam në ato rrjedha. Nuk i di ato sene”, arsyetohet Gashi në pretendimet e hetuesit se ai po e bënte intervistën të vështirë.
Në pyetjen e hetuesit se UÇK-ja a kishte shtab në Llapushnik dhe ka shfrytëzuar shtypin e tij, ai përgjigjet: “UÇK-ja e ka shfrytëzuar krejt Llapushnikun. Çdo shtëpi. Edhe shtëpia ime… Nuk është e vërtet që shtëpia ime është përdorur si shtab. Mund të them që çdo shtëpi ka qenë në shërbim të UÇK-së”, thotë Gashi në këtë intervistë të plotë të cilën e publikon Indeksonline.
Ai thotë se as Fatmir Limajn, as Shukri Bujën, e as komandantët: Luani, Çerqizi etj nuk i njeh dhe kurrë nuk i ka takuar, pos që i ka parë përmes televizorit.
Ai thotë se nuk beson që të ketë pasur burg në shtëpitë, pronë të familjes së tij. Me gjithë këmbënguljen e hetuesit, Gashi nuk pranon që të nënshkruaj fotografinë të cilën Shukri buja, në intervistën, procesverbalet e së cilës ekskluzivisht i ka publikuar Indeksonline, e ku Buja e konfirmon si fotografi e shtëpisë së burgut të Llapushnikut.
Në këtë rrëfim të Bujës, që kohë më parë e ka publikuar të plotë Indeksonline, Shukri Buja sjellë, aq sa thotë se ka mbajtur mend 4 vite pas luftës, fillet a para të organizimit të gueriles kosovare kundër ripushtuesve serb, strukturën e UÇK-së, pozicionet e kompetencat e komandantëve në Zonën e Pashtrikut dhe mbi të gjitha: kush mbante përgjegjësi për civilët e arrestuar nga UÇK-ja në këtë zonë që përfundonin në burgun e Llapushnikut.
Buja, në rrëfimin para prokurorive që po e ndiqnin Fatmir Limajn identifikon në fotografi edhe vetë burgun e Llapushnikut, foto kjo të cilën e sjell ekskluzivisht Indeksonline.
Ai ishte i vetëdijshëm, sipas rrëfimit që ka siguruar Indeksonline, se po dëshmonte në procesin kundër Fatmir Limajt. Ai madje po pranonte edhe që të bëhej dëshmitar publik, siç edhe dëshmoi më vonë për ndodhitë në zonën e Reçakut, por që atëherë, siç shprehet decidivisht Buja, e dinte se do të kishte problem me “mentalitetin e shqiptarëve” çka do që do të dëshmonte.
Në këtë rrëfim, Buja përgjegjësin edhe për civilët e arrestuar në nën-zonën ku ai po komandonte, ia hedh Komandant “Çelikut”, pseudonim që në luftë e mbante deputeti tanishëm i PDK-së, Fatmir Limaj.
“…dhe kur ka ndodhë me një arrestim…dhe kur jam pyetur se “çka” të bëjë, thjesht kam thënë “nise për Kleçkë”, thotë Buja dhe arsyetohet se nga “Çeliku” po merrte urdhra në atë kohë./Indeksonline/
http://www.youtube.com/watch?v=Ix-RZJ2NCqI&feature=player_embedded
