Kalo te lënda

Në veri naftë për 0.85 centë!

Kontrabanda me naftë në veri vazhdon. Çmimet e lira kanë sfiduar konkurrencën e tregut, por edhe cilësinë. Sipas burimeve të portalit standardi.info, bëhet e ditur se në dalje të fshatit Kushtovë, të Mitrovicës, shitet nafta me çmim prej 0.94 centësh, përderisa në pjesët tjera të Kosovës, paguhet rreth 1.43 centë për një litër.

Është shumë e çuditshme se si këto pika ilegale shitjeje nuk ishin të ‘vizituara’ as nga ispeksioni e as nga Policia e Kosovës. Këto pika ilegale të naftëshitjes mund të vizitohen nga cilido qytetar, pa dallim përkatësie etnike. Kjo do të thotë se kontrabanda dhe interesat thyejnë të gjitha tabutë.

 

Kontrabanda me derivate nafte vazhdon të lulëzojë në veriun e vendit edhe përmes Zubin- Potokut dhe fshatit Çabër. Në këtë fshat vetëm gjatë një kilometri rrugë janë hapur 7 pika karburanti, të cilat ofrojnë naftë dhe benzinë me vetëm 0.84 centë për një litër, e që është shumë më lirë se në gjithë vendin. Kësaj kontrabande janë duke i prirë një numër kompanish të jugut të Mitrovicës, të cilat merren me transportimin e udhëtarëve, thotë shitësi i naftës.

 

Këtë gjendje e shohin si shumë shqetësuese ata të cilët merren me shitjen e derivateve edhe në pjesën tjetër të Kosovës. Fadil Berjani thotë se luajtja me çmimin po bëhet për të vetmen arsye, shpëlarjen e parasë. Kjo në një farë mënyre godet tregtarët e ndershëm.

 

Në këtë kontekst, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Nazmi Bytyçi, tha se “bazuar në deklaratat e Qeverisë dhe KFOR-it, pika 1 dhe 31 monitorohen dhe kontrollohen për mallrat kontrabandë, ne si shoqatë nuk jemi në gjendje vërtetojmë se a kontrollohen apo jo këto pika. Mirëpo, vet fakti që në pjesën e veriut shitet naftë me çmim 0.84 deri 0.94 cent për litër, kjo tregon që ka rrugë alternative për futjen e naftës kontrabandë, e cila është jo cilësore me përqindje të madhe të sulfurit, e cila e dëmton shëndetin e qytetarëve dhe sigurisht buxhetin e Kosovës”, thotë Bytyçi, për portalin standardi.info.

 

Ai thotë se shoqata e naftëtarëve ka bërë disa herë takime me institucionet përgjegjëse dhe ka kërkuar ndalimin e këtyre pikave ilegale të shitjes së naftës, pasi që shumë kompani dhe qytetar me kamionë dhe autobusë tash furnizohen nga pikat ilegale në Mitrovicë, dhe kështu po dëmtohen shitësit legal të cilët paguajnë taksat dhe të gjitha detyrimet ndaj shtetit të Kosovës. / Muhamed Raçi (standardi.info)

Lini një koment