Klinton: Fundi i mbikëqyrjes-dritë e ardhmërisë së Kosovës
Ish presidenti amerikan, Bill Klinton, e ka cilësuar fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë si ngjarje historike. Gjatë një konference të zhvilluar një ditë pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, ish presidenti amerikan Klinto tha se ka shumë shpresa se “ditë të ndritshme për Kosovën janë përpara”.
“Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë është hap thelbësor dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të definuar rolin tuaj në rajon, në Evropë dhe në botë. Ndërkohë që përballeni me sfidat dhe mundësitë nga jashtë, përfshirë Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Serbinë, kurse nga brenda me sfidat e ndërtimit të një vendi me më shumë mundësi dhe përfitime të përbashkëta për të gjithë, shpresoj ta dini se keni shumë miq, të cilët urojnë të keni sukses”, ka thënë presidenti Klinton.
Duke shprehur mirënjohjen që, siç tha, pati mundësinë që si president i Shteteve të Bashkuara “ të luajë një rol të vogël në përfundimin e konfliktit dhe në bërjen e asaj çfarë jeni bërë sot”, adresimin e tij presidenti Klinton e përfundoi duke thënë: “Do të jem gjithmonë në anën tuaj”.
Ndërkaq, presidenti Barack Obama shprehu mbështetje për përfundimin e mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Ai tha se Kosova ka bërë përparim të fuqishëm në ndërtimin e institucioneve të një shteti modern. Presidenti Obama i shprehu urime qeverisë, parlamentit dhe popullit të Kosovës në këtë moment historik, siç e quajti ai.
Presidenti Obama tha se ka ende punë për të bërë tani që udhëheqësit e Kosovës po marrin përgjegjësi të plotë për vendin. Ai bëri thirrje që Kosova të vazhdojë të angazhohet me fqinjët e saj, sidomos me Serbinë, për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura”.
Një hap i tillë, thuhet më tej në deklaratën e presidentit amerikan, do të përforcojë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës si dhe do të shërbejë për promovimin e stabilitetit, nga i cili varen perspektivat Euro-Atlantike të rajonit./standardi.info