Kalo te lënda

Kapitulli i ri për Kosovën, me shumë sfida të reja

Po përmbyllet një kapitull i historisë më të re të Kosovës për të hapur vizionin e shtetit të bërë dhe demokratik. Sot është dita e parë e këtij fillimi historik për ne, nga sot e tutje sfidat e shumta e të reja do të qëndrojnë para shtetit të ri të Kosovës. Kështu u tha sot në fillim të fonferencës me titull “Kaptinë e mbyllur në Ballkan”, ku ishin të pranishëm drejtuesit më të lartë të institucioneve vendëse, ambasadorë dhe përfaqësues të ndryshëm diplomatikë në vend dhe jashtë tij. Me këtë rast, presidentja e vendit Atifete Jahjaga tha se Kosova po e përmbyllë një kapitull dhe po e hap një të ri në historinë e saj. “Po e hapim një faqe të re të historisë sonë, të synimit të qytetarëve të Kosovës, që si popull i lirë dhe i dinjitetshëm dhe i barabartë, të bëhen pjesë e familjes ës madhe evropiane. Ne po e realizojmë një ëndërr të kamotshme për liri, pavarësi e demokraci, për të cilën punuan e sakrifikuan gjenerata të tëra gjatë historisë sonë”, tha presidentja Jahjaga. Presidentja e vendit tha se pa e harruar të kaluarën e dhimbshme po e ndërtojmë të tashmen për t’i hapur rrugë të ardhmes. “E ardhmja e Kosovës është e sigurt si pjesë e pandashme e Evropës”, tha Jahjaga. Ajo i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të flasë me një zë për vendet e rajonit, me theks të veçantë për Kosovës. Kurse, kreu i ekzekutivit Hashim Thaçi ditën e sotme të parën pas heqjes së mbikëqyrjes e quajti ditë historike për vendin, por tha se Kosovën e presin edhe shumë sfida të mëdha. “Sot është dita e parë e këtij fillimi historik për ne, nga sot e tutje sfidat e shumta e të reja do të qëndrojnë para shtetit të ri të Kosovës. Mirëpo, janë këto sfida të zakonshme të shteteve të pavarura të shoqërive të përgjegjshme, janë sfida të kuptueshme, të pranueshme dhe të tejkalueshme. Pikërisht, këtë e shoh si moment tepër me rëndësi në historinë e shtetit tonë të ri, momentin kur arritëm që të trajtohemi të barabartë nga të tjerët dhe që veten ta përjetojmë të barabartë me të gjithë”, theksoi Thaçi. Një fjalë rasti e mbajti edhe Piter Fejt i cili deri dje ishte mbikëqyrës i pavarësisë së Kosovës. Ai tha se dje ishte vetë dëshmitar i përmbylljes së një kapitulli të fundit për Ballkanin. “Dje pas dite në aktin e fundit si përfaqësues civil ndërkombëtar në mbikëqyrjen e implementimit të pakos së Ahtisarit kam qenë dëshmitar i përmbylljes së kapitullit të fundit për Ballkanin dhe jam i kënaqur që marrë pjesë në këtë konferencë për fillimin e ri të Kosovës në kapitullin e ri dhe këtë nuk do ta bëj më si një përfaqësues civil ndërkombëtar, por si një qytetar civil i Bashkimit Evropian”, tha Fejt. Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj u shpreh se përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë shënon fundin e gjitha tranzicioneve që Kosova është përballuar deri tani. “Rasti i Kosovës ka provuar se procesi i ndërtimit të shtetit dhe i institucioneve së bashku me tranzicionin politik, transformimin dhe konsolidimin janë tri aspekte të ndryshme por të ndërlidhura të një procesi gjithëpërfshirës të demokratizimit. Republika e Kosovës prezanton një shembull të qartë të një shteti të ndërtuar duke u bazuar në vullnetin politik të shumicës së popullit të tij”, u shpreh Hoxhaj. Lidhur me shtetndërtimin dhe transformimin e mëtutjeshëm të Kosovës, Hoxhaj ka thënë se Kosova sot është e ndërtuar duke u bazuar në principet e demokracisë, multietnicitetit dhe sekularizmit dhe implementimi i Planit të Marti Ahtisarit ka transformuar Kosovën si shtet dhe shoqëri. “Kosova e pavarur është shembulli më i suksesshëm i shtetndërtimit në kontekstin e misioneve të ndryshme dhe operacioneve paqeruajtëse në pjesë të ndryshme të botës. Ajo është një projekt që nuk ka mundur të jetë i suksesshëm pa përpjekjet paqeruajtëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-së të cilat kanë kontribuuar me dhjetëra mijëra trupa në kampanjën e Kosovës. Sot, suksesi i jonë, është sukses i juaji”, tha Hoxhaj. Kjo konferencë vahzdon punimet gjatë gjithë ditës, dhe pritet të flasin shumë personalitet të rëndësishme ndërkombëtare./kosovasot/

Lini një koment