Dekorohen Wisner, Ischinger, Feith dhe Spiendelegger
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, të hënën ka dekoruar ambasadorin Frank Wisner, ambasadorin Wolfgang Ischinger, shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith dhe ministrin e jashtëm të Austrisë Michael Spiendelegger, ambasadorë dhe zyrtarë të tjerë të lartë ndërkombëtarë. Ndërsa presidenti Martti Ahtisaari në vitin 2009 është dekoruar me Medaljen e Artë të Pavarësisë.
Në takim ishin të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, si dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Pas një bashkëbisedimi miqësor, u zhvillua edhe ceremonia e dekorimit të personaliteteve të larta ndërkombëtare nga Presidentja Jahjaga.
Presidentja Jahjaga dekoroi ambasadorin amerikan Frank Wisner dhe atë gjerman Wolfgang Ischinger me “Urdhrin e Pavarësisë”, urdhër që u jepet personave për kontributin e tyre për pavarësinë e Kosovës.
Presidentja Jahjaga në këtë ceremoni dekoroi edhe ministrin e jashtëm të Austrisë, Michael Spiendelegger, të cilit iu dha “Urdhri për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Dr.Ibrahim Rugova”. Ky urdhër përmban portretin e Ibrahim Rugovës dhe u jepet personave, vepra jetësore e të cilëve cilësohet si kontribut i veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë, dhe kultivimin e humanizmit.
Jahjaga dekori edhe shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith. Atij iu dha “Medalja e Paqes dhe e Pajtimit “Anton Çetta”, që u jepet personave që kanë kontribuuar dhe kontribuojnë për paqen dhe pajtimin midis njerëzve
Dekorimi u bë në bazë të nenit 84 pika 28 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të nenit 7 dhe 9 të Ligjit për Dhënien e Dekoratave nga Presidenti i Republikës së Kosovës, në bazë të Rregullores mbi Llojet e Dekoratave që i jep Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Procedurat për Dhënien e Tyre.