U kry! 100% të pavarur!
Para pak çastesh ka përfunduar mbledhja e 16-të dhe e fundit e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën në të cilën i është dhënë fund edhe zyrtarisht mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Në një komunikatë të lëshuar për media thuhet se “pas vlerësimit të tij më datë 2 korrik 2012 se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (PGJS) është zbatuar në mënyrë substanciale dhe duke vënë re se në përputhshmëri me zotimet e tyre, institucionet e Kosovës tani i kanë miratuar pakot e ndryshimeve të Kushtetutës dhe të legjislacionit primar duke i përfshirë në mënyrë të kënaqshme elementet e mbetura të PGJS-së brenda kornizës kushtetuese dhe juridike të Kosovës, Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpall sot përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar”.
“Pas përfundimit të detyrave të nevojshme administrative të brendshme, Zyra Civile Ndërkombëtare do të mbyllet në fund të vitit 2012. Me efekt të menjëhershëm, PGJS-ja nuk ekziston më si fuqia juridike e veçantë dhe më e lartë, dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës tani përbën bazën e vetme të kornizës juridike të vendit”, përfundon komunikata.