Kalo te lënda

SHBA mbështet përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur

Qeveria amerikane në disa deklarime të saj përmes zyrtarëve të lartë ka mbështetur vendimin për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur. Ky hap është konsideruar si një maturim i Kosovës për të vazhduar rrugën e saj të mëvetësishme dhe njëkohësisht një votëbesim i komunitetit ndërkombëtarë për Kosovën dhe institucionet e saj shtetërore e demokratike..

“SHBA mendojnë se Kosova është e gatshme për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur. Kosova ka bërë shumë përparime në katër vjetët e pavarësisë së saj. Tani ne duam të vazhdojmë të punojmë me ta dhe kjo nënkupton mbrojtjen absolute të të drejtave të gjithë qytetarëve,” deklaroi në korrik të këtij viti, ndihmësekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon.

SHBA gjithashtu kanë nënvizuar se ‘mbështesin aspiratat evropiane të Kosovës,’ ndërkaq në këtë rrugëtim integrues Washingtoni vë theksin edhe në integrimet e brendshme në Kosovë, në gjithë hapësirën e territorit të saj. Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur ‘shtrirjen e dorës nga ana e autoriteteve në Prishtinë qytetarëve të Kosovës në veri’ që është quajtur ‘një veprim thelbësorë për siguruar të gjithë qytetarët e vendit se ata janë të sigurt në shtetin e Kosovës.’, transmeton RTK

Mbështetja e fundit nga zyrtarët amerikanë për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur erdhi në seancën e 21 gushtit mbi Kosovën në Këshillin e Sigurimit, me ç’rast Rosemary DiCarlo, njëra nga ambasaoret amerikane në Kombet e Bashkuara në fjalën e saj tha se Washingtoni mbështeste plotësisht Grupin Drejtues Ndërkombëtar që ka njohur përparimet e arritura në Kosovë.

 

Duke përcjellë urimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga selia e organizatës botërore, ambasadorja DiCarlo tha se ‘vendimi për t”i dhënë fund pavarësisë së mbikqyrur është një votëbesim ndaj përkushtimit të Kosovës dhe aftësisë për të ndërtuar një shtet shumetnik dhe demokratik.’

Lini një koment