Mafia e naftës
Deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Berat Buzhala, po hedh akuza të rënda në drejtim të shoqatës më të fuqishme financiare në Kosovë, e cila qarkullon qindra miliona euro në vit.
Për Buzhalën, Shoqata e Naftëtarëve është një organizatë kriminale dhe si e tillë duhet të demontohet nga institucionet e vendit.“Shoqata e Naftëtarëve është një organizatë kriminale dhe kjo duhet të demontohet, pasi që merret me interesa personale të pak bizneseve”, thotë Buzhala për “Zërin”.
Anëtari i Komisionit Parlamentar për Tregti dhe Industri javën e kaluar në Kuvend e ka nisur këtë luftë me naftëtarët kosovarë, derisa legjislativi debatonte për tema tjera, ndonëse shumica e importuesve më të mëdhenj të naftës në vend janë deklaruar se e financojnë partinë e Buzhalës dhe partitë tjera parlamentare.
Ai nuk e di nëse pikërisht për këtë fakt, iniciativa e tij do të përkrahet edhe nga deputetët tjerë në Parlament.
“Nuk kam menduar në këtë drejtim. Unë kam menduar vetëm si një qytetar i këtij vendi që shpenzon çdo ditë në derivate të shtrenjta”, shprehet ai.
Duke u munduar që t’i argumentojë akuzat në drejtim të naftëtarëve, Buzhala bën të ditur një fakt kur anëtarët e Komisionit Kosovar të Konkurrencës kishin raportuar para Komisionit Parlamentar për Tregti dhe Industri se kanë zbuluar një rast kur çmimet e derivateve nga naftëtarët janë caktuar nëpërmjet mesazheve telefonike, e cila gjë është e kundërligjshme.
Ai ka edhe dyshime tjera për marrëveshje mes naftëtarëve për caktimin e çmimit të derivateve. “Kam dyshime të bazuara se naftëtarët kur blejnë naftë nga OCTA në Maqedoni atje i caktojnë çmimet, me ç’rast kjo e fundit lëshon fatura falso të naftës”, potencon Buzhala, duke shtuar se të dhënat që i ka parë prej OCTA-s del se çmimi i naftës është statik, ndërsa në tregjet ndërkombëtare ka vazhdimisht lëvizje të çmimit të “arit të zi”.
Fakt tjetër, sipas tij, për manipulime me çmime të naftës në vend, në kurriz të konsumatorëve, është se në mars dhe prill të këtij viti çmimi i naftës në berzë ka qenë 130 dollarë amerikanë për një barel, ndërsa në Kosovë një litër naftë në atë kohë shitej 1.25 euro. Para një jave, siç thotë ai, çmimi i naftës në bursë ra në 113 $ për barel, ndërsa çmimi i derivateve të naftës në Kosovë u shtrenjtua, duke arritur kështu çmimi i benzinës prej 1.38 deri 1.40 euro në vend.
“Naftëtarët e kanë ngritur çmimin e derivateve, pavarësisht rënies së çmimit në berzë për rreth 20 $ për barel nga muaji prill, duke e ditur se gjatë verës për shkak të diasporës ka kërkesë më të madhe për derivate të naftës. Ata e dinë që diaspora jonë s’ka ku të blejë tjetër dhe e paguan çmimin më të shtrenjtë”, shprehet Buzhala.
Ky i fundit flet për fitime marramendëse të naftëtarëve.
Sipas Buzhalës, një litër naftë nga OCTA në Maqedoni blihet prej 58-60 centë, plus 52 centë paguhen taksa për shtetin dhe çmimi i naftës me taksa sillet rreth 1.10 euro, ndërsa shitet prej 1.38-1.40 euro.
“Pra në një litër derivate i fitojnë 20-25 centë të pastra. Këto janë fitime astronomike në raport me shtetet evropiane kur dihet se në Gjermani fitimet në litër të derivateve sillen prej 5 maksimalisht në 10 centë”, pohon Buzhala.
Bazuar në statistikat e Shoqatës së Naftëtarëve se brenda ditës në Kosovë importohen 1500 tonë derivate të naftës dhe, në bazë të pohimeve të Buzhalës, për fitime në litër del se tregtarët e “arit të zi” në Kosovë kanë fitime ditore prej mbi 300 mijë euro.
Me akuzat e Buzhalës nuk pajtohet kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Nazmi Bytyqi. Sipas tij, të fliten akuza të tilla në Kuvend për një shoqatë, e cila e mbush rreth 40 për qind të buxhetit të vendit me taksa është turp.
”Ai që bën akuza të tilla duhet të ketë turp, sepse kjo organizatë e mbush rreth 40 për qind të buxhetit të vendit. Nëse kanë fakte të tilla se ka kriminelë në shoqatë, atëherë ekzistojnë institucionet që mund t’u drejtohen”, shprehet Bytyqi.
Përveç deputetëve, në adresë të Bytyqit ka akuza edhe nga vetë anëtarët e shoqatës.
Anëtari i kësaj shoqate, Fadil Berjani, pronar i kompanisë “Dilloni Benz”, i cili njëherësh është edhe anëtar i Bordit në Odën Ekonomike Kosovaro-Gjermane, thotë se Nazmi Bytyqi qëndron në krye të shoqatës me mandat të skaduar dhe nuk e cakton Kuvendin zgjedhor, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga anëtarët.
“Që një vit i ka skaduar mandati Nazmi Bytyqit si kryetar i shoqatës dhe ai vazhdon të qëndrojë në krye të saj. Në shoqatë ka dallavere dhe probleme të mëdha dhe për disa çështje të ngritura ka të drejtë Buzhala”, shprehet Berjani.
Mirëpo, Bytyqi këmbëngul se është kryetar legjitim, pasi që mandati i është vazhduar që një vit.“Nëse Fadil Berjani ka ankesa, atëherë ato duhet t’i bëjë në Kuvend të Shoqatës”, shprehet Bytyqi, njofton zëri.
Fadil Berjani, pronar i kompanisë “Dilloni Benz”, thotë se si anëtarë të shoqatës disa herë kanë kërkuar matjen e vagonëve, autoboteve me derivate të naftës në çdo pikë kufitare, pasi që, sipas tij, dyshohet për manipulime të sasisë.
Po ashtu, sipas tij, shitja e derivateve të naftës nga disa kompani në vend nën çmimin furnizues është kontrabandë dhe shpërlarje parash.Berjani pohon se në tërësi nuk pajtohet me Buzhalën në lidhje me akuzat e fundit publike, pasi që, sipas tij, në shoqatë të gjithë nuk janë kriminelë dhe “duhet të ceken me emra ata që janë”./standardi.info