Kalo te lënda

Kurti: Bac u kry pjesa e dytë!

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, Lëvizja Vetëvendosje nuk do të merr pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, , e cila pritet të mbahet pas pak çastesh për nder të përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, e në të cilën pritet të marrin pjesë shumë personalitete të njohura ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe presidentin Marti Ahtisaari.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë një konference për media, ka thënë se deputetët e kësaj lëvizje nuk do të jenë pjesë e kësaj seance, të cilën e ka quajtur farsë që organizohet në kurriz të popullit dhe në dëm të së tashmes dhe perspektivës së vendit tonë.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk do të merr pjesë në seancën të ashtuquajtur solemne, për shkak se neve na kanë ftuar që të buzëqeshëm në këtë seancë. Ne nuk duam të jemi pjesë e kësaj farse, e cila organizohet me parat e popullit, dhe në kurriz të së tashmes dhe perspektivës të popullit dhe shtetit tonë. Pra, na kanë ftuar të jemi spektatorë të privilegjuar. Qytetarët e Kosovës, do të jenë spektatorë para ekraneve televizive, ndërkaq neve deputetëve na kanë ftuar të jemi spektatorë në sallë. Spektatorë të privilegjuar janë një e keqe e dyfishtë, sepse janë spektatorë dhe të privilegjuar”, ka thënë ai.

Kurti po ashtu edhe një herë ka kritikuar planin e Ahtisaarit, duke thënë se ky plan, jo vetëm se nuk e ka normuar dhe nuk e përmban pavarësinë e plotë, në të njëjtën kohë ka vonuar pavarësinë e vërtetë, sepse nuk e parasheh as të drejtën për vetëvendosje për popull dhe as sovranitetin për shtetin.

Ndërkaq sa i përket përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, Kurti e ka quajtur përmbyllje e një dështimi të dyanshëm. Kurorëzimi i dështimit të planit të Ahtisaarit në veri, me negociata për veriun dhe tjetra kurorëzimi i dështimit të instalimit të drejtësisë shoqërore e politike me prezencës e EULEX-it.

“Ne jemi për sovranitet dhe vetëvendosje, e në këtë seancë të sotme nuk do të flitet për asnjërën prej tyre. Ne besojmë se Kosova meriton shumë, më tepër që popullit të Kosovës i takon shumë më tepër dhe ne do të punojmë që Kosova të jetë shumë më e mirë se që është. Ajo çka po ndodhë këto ditë, e sidomos sot është shndërrimi i filmit ‘Bac u kry në serial’, ku ajo Bac u kry para 4 vjet e gjysmë po bëhet ‘Bac u kry pjesa e dytë’. Ky pushtet po ofron gjithnjë më shumë cirk, sepse po jep gjithnjë e më pak bukë”, ka thënë ai, transmeton Kosovapress.

Ndryshe, seanca solemne e Kuvendit, ku pritet të marrin pjesë personalitete të shquara mbarëkombëtare, nis në ora 16:30. /Telegrafi/

Lini një koment