Kalo te lënda

ICG: Sfidat pas mbikëqyrjes

Kosova e ka zbatuar pjesën dërmuese të planit Ahtisaari dhe meriton të jetë tërësisht e pavarur, por nuk duhet të ketë rrëshqitje dhe pjesët tjera të planit duhet respektuar, thuhet në raportin e sotëm të lëshuar nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Në këtë raport, thuhet se arritjet e deritashme në zbatimin e këtij plani, rrezikohen mes tjerash edhe nga raportet e tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe frustrimit të Prishtinës me “pamundësinë për të shtrirë sovranitetin e saj në zonat veriore të banuara me serbë”.

“Qeveria duhet të mbetet e përkushtuar në kërkesat e planit të Ahtisaarit për pakicat. Por, plani nuk ka qenë i hartuar të funksionojë në izolim dhe nuk mund të ndahet nga raporti i tërësishëm Kosovë – Serbi”, thuhet në raport, transmeton radio evropaelire.

Në veri të Kosovës, kontrolli i Beogradit mbi administratën lokale është pothuajse i plotë. Në jug, Beogradi paguan paga dhe pensione për serbët dhe menaxhon sistemin e arsimit dhe shëndetësisë, pa e informuar Prishtinën. Qeveria në Kosovë po e toleron këtë, ndonëse mund të bëjë përpjekje për mbylljen e institucioneve të Beogradit në jug të vendit, shkruan ICG.

“Kur është pajtuar me planin e Ahtisaarit, Kosova ka pranuar se Serbia do të jetë e përfshirë në këtë territor, ndonëse në mënyrë bashkëpunuese dhe transparente. Beogradi ka refuzuar të bashkëpunojë dhe Kosova tash po tregon shenja mosdurimi”, shkruan në raport të ICG-së./Indeksonline/

Lini një koment