Kalo te lënda

Feith: Thaçi nganjëherë i merrte me rezerva këshillat e mia

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), Pieter Feith, në prag të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, ka vlerësuar fazën e re, në labirintet e së cilës po hyn tashmë shteti i Kosovës. Ai ka folur edhe për korrupsionin dhe pasurimin e pushtetarëve, duke e cilësuar këtë sinjal të keq. Feith për herë të parë ka zbardhur edhe marrëdhënien e tij me kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi si dhe me liderët e dy partive më të mëdha opozitare LDK dhe Vetëvendosje, ka thënë Feith në një intervistë për Kosova Sot.

“Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka pasur shumë nevojë për një mbështetje të konsiderueshme të ndërkombëtarëve. Kur ka qenë e nevojshme ne i kemi sugjeruar kryeministrit që të ndryshojë qasjen e tij, apo që t’i bëjë gjërat ndryshe. Unë e kam inkurajuar atë që t’i bëjë gjërat pak më shpejt, apo ndoshta që të përmbahet nga disa veprime që ka pasur synim t’i bëjë. Në shumicën e rasteve i ka pranuar mirë, ndërsa në disa raste i ka pranuar pak më me rezerva”, ka thënë Feith.

Feith në vazhdim është përqendruar edhe te situata në pjesën veriore të vendit, duke thënë se duhet të shpërbëhen institucionet paralele.

“Institucionet paralele duhet të shpërbëhen. Mendoj që kjo është bërë e qartë për Beogradin që të bëjë balancimin mes aspiratave të veta evropiane me politikat e veta për Kosovën”.

Feith ka folur për korrupsionin dhe pasurimin e politikanëve e pushtetarëve.

“Nuk është sinjal i mirë pasurimi i udhëheqësve politikë”, ka thënë ai.

Ka kritikuar ashpër sistemin e drejtësisë, duke thënë se ka nevojë të madhe që të përmirësohet, të reformohet dhe të fuqizohet në rritjen e cilësisë, në ndarjen e drejtësisë dhe efikasitetit. Kemi parë deri tani raste individuale të korrupsionit të gjyqtarëve në gjyqësorin e Kosovës.

I pyetur se a do të mbyllet rast i ish ministrit Fatmir Limaj për dyshimet e ngritura për korrupsion, Feith është shprehur se shpreson se mund të arrihet deri te një përfundim.

Lini një koment