Kalo te lënda

Daçiq: S’e njohim Pavarësinë e Kosovës as me mbikëqyrje, as pa të

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë sot me rastin e heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, se Serbia nuk pranon asnjë pavarësi, as atë të mbikëqyrur, e as atë pa mbikëqyrje.

“Për ne çështja e Kosovës nuk është zgjidhur derisa me të nuk pajtohet Serbia. Po të mos ishte kështu, nuk do të na bënin aq shumë trysni ta njohim Kosovën”, u ka thënë Daçiq gazetarëve në Beograd.

Ai gjithashtu ka thënë se rrëfimet për njohjen e pavarësisë së Kosovës për të arritur anëtarësimin e Serbisë në BE janë “budallallëk” dhe se kusht i vetëm është relaksimi i raporteve midis Prishtinës dhe Beogradit.
“Si mund të jetë kusht pranimi i pavarësisë së Kosovës kur ekzistojnë edhe vende brenda BE-së që nuk e kanë bërë një gjë të këtillë. Një relaksim sa më i gjerë i raporteve dhe zgjidhja e problemeve që pamundësojnë jetën normale të qytetarëve në Kosovë, është kusht”, ka thënë Daçiq./standardi/

Lini një koment