Kalo te lënda

Abdixhiku: Dialog ekonomik Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e FMN-së

Së fundi janë shtuar zërat për një dialog të ri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe i cili do të jetë politik, e që për protagonist do të ketë përfaqësuesit më të lartë të të dyja vendeve. Një dialog teknik i nisur prej më shumë se një viti ka prodhuar disa marrëveshje, por ka një ngecje në të, ngaqë disa sosh nuk është duke i zbatuar Serbia.

Vetëm një ditë para se Grupi Drejtues Ndërkombëtar të shpallë të përfunduar mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, është shtruar nevoja për një proces të ri dialogimi që dallon nga dy të parët – një dialog i pastër ekonomik. Nevojën për këtë e ka shprehur Lumir Abdixhiku, në një intervistë për “Kohën Ditore”. Për ndërmjetës ka propozuar FMN-në.

Abdixhiku, që është edhe drejtor ekzekutiv në institutin “Riinvest”, ka qenë një nga autorët e një raporti të “Forumit 2015” që analizon objektivat e vendosura nga Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) dhe progresin në arritjen e tyre qëkur Kosova shpalli pavarësinë në shkurt 2008. Aty ka identifikuar pjesë të Planit Ahtisaari që nuk janë përmbushur, e që u referohen aspekteve ekonomike, dhe ka dhënë rekomandime si duhet gjetur zgjidhja për to.

Ai në këtë intervistë ka thënë se pas përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të jenë diskutabile problemet me pronën e Kosovës në vendet e ish-Jugosllavisë, ndaj të cilave vendi nuk gëzon asnjë lloj autoriteti. Po kështu ka thënë të jetë i pazgjidhur edhe problemi i arkivave, si dhe implementimi i elementeve ekonomike në pjesën veriore të Kosovës, ku autoriteti shtetëror mbi pronat e vendit ka qenë tërësisht i pavërejtur, shkruan Koha Ditore.

Ka përmendur edhe borxhin dhe hisen e Kosovës, dhe mosemërimin e një arbitri ndërkombëtar që do të vendoste për këtë. Ka thënë se e drejta suksesive e Kosovës është e garantuar me çdo konventë ndërkombëtare dhe kjo e drejtë, sipas tij, duhet të adresohet në bisedime të veçanta mes dy shtetesh, ashtu siç ka ndodhur në mes vendeve të ish-Jugosllavisë.

Lini një koment