Plani “integrues” zëvendëson Planin Ahtisaari
Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë të premten të jetë përmbushur i gjithë Plani i presidentit Martti Ahtisaari, pavarësisht që asnjë pjesë e tij nuk ka gjetur zbatim në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë. Kur i është përmendur veriu, kreu i Ekzekutivit ka folur për një plan tjetër, raporton Koha Ditore.
“Tani mund të them lirisht se Kosova ka implementuar në përpikëri dokumentin e presidentit Ahtisaari për ndërtimin e Kosovës së re, evropiane, shumetnike, të reformave demokratike, të mirëqeverisjes”, ka thënë Thaçi në një konferencë shtypi. “Natyrisht se mbetet për të bërë, e theksova edhe më herët, edhe shumë punë në veri… Do të kemi implementimin e plotë të planit integrues”.
Thaçi ka paralajmëruar veprime, me të cilat do të vihet kontrolli në veri.
“Do t’i kemi veprimet e koordinuara me NATO-n dhe autoritetet e EULEX-it dhe një nga motivet kryesore për vazhdimin e mandatit të EULEX-it është edhe kjo çështje dhe edhe në veri do të ketë lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, do të ketë rend dhe ligj, do të ketë zgjedhje të lira, do të ketë lidership legjitim, do të ketë edhe investime socio-ekonomike”, ka theksuar kryeministri. Po ashtu, Thaçi ka thënë të ketë kushte për të rinisur dialogun me Serbinë, edhe për sa u përket çështjeve teknike.
Presidentja Atifete Jahjaga nuk është anëtare e kabinetit qeveritar, që e drejton Thaçi. Por, letërkëmbimin e Jahjagës me baroneshën Chatherine Ashton për zgjatjen e mandatit të EULEX-it edhe për dy vjet, ai e ka quajtur marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Falënderoj deputetët e gjithë spektrit politik që votuan edhe për ratifikimin e marrëveshjes në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për mandatin e EULEX-it”, ka thënë Thaçi.
Ky nuk është një lapsus lingue. Ai edhe në një dorëshkrim, në të cilin është orientuar gjatë konferencës me gazetarë e kishte nxjerrë palë të marrëveshjes institucionin që drejton, pra Qeverinë.
“Sot u votua edhe për ratifikimin e marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe BE për mandatin e EULEX-it”, ka shkruar Thaçi në dorëshkrim.
Në fakt, ajo që kanë votuar deputetët është Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë. Si aneks ligjit i janë bashkëngjitur letra e Jahjagës dhe ajo e Ashtonit.