Pacolli: Hoxhaj ka zbraztësira në tru
Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka lëshuar një varg epitetesh për ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj.
“Ai ose e ka pasur zbrazësi në trurin e tij, ose është dyfytyrësh. Nota origjinale verbale e njohjes së Malit ka shkuar në Ministrinë e Jashtme. Vetë ai e ka informuar kryeministrin për njohjen, dhe pastaj ky e ka përmendur në OKB”, ka thënë Pacolli në emisionin e mbrëmshëm Interaktiv të KTV-së, transmeton “Koha”.
Ai insistoi se nuk ka ende një vendim tjetër të Malit dhe se para njohjes kishte dërguar pesë kompjuterë dhe disa kolltuqe, me kërkesë të Presidencës së atij shteti.
Pacolli gjithashtu ka mohuar lajmin se as Nigeria nuk e njeh Kosovën. Pacolli ka thënë se krejt çka duhet bërë është dërgimi i diplomatëve tanë atje, sepse Nigeria ka ndarë hapësirë për përfaqësinë tonë diplomatike në kryeqytetin Abuxha.
Kryetari i AKR-së për herë të parë ka paralajmëruar se deputetët e partisë së tij nuk do të votojnë ndryshimet kushtetuese në Kuvend, nëse Jahjaga nuk jep dorëheqje, duke thënë se ajo nuk duhet t’i hajë fjalët e saj të thëna me rastin e inaugurimit në detyrën e presidentes së shtetit. /Telegrafi/