Kalo te lënda

Ndahet procesi gjyqësor i rastit “Bllaca 2”

Ka vazhduar edhe të premten procesi gjyqësor në rastin “Bllaca 2“ në Gjykatën Supreme të Kosovës, pas rikthimit  të  anëtarit të panelit gjyqësor, gjyqtarit vendor Bexhet Muçiqi, i cili një ditë më  herët ishte tërhequr nga rasti pa dhënë ndonjë arsye për tërheqjen e tij. Gjendja shëndetësore jo e mirë e të akuzuarit Fahredin Gashi dhe kërkesat e njëpasnjëshme të mbrojtësit të tij, Tahir Rrecaj, ka bërë që trupi gjykues në krye me Tore Tomanson të marrin vendim për ndarjen e përkohshme të  procesit gjyqësor ndaj Fahredin Gashit dhe të akuzuarve të tjerë Sadik Abazi,  Driton Hajdari, Bekim Syla, Shaban Syla, si dhe Shpresim Uka. Ky vendim do të jetë në funksion derisa të merret raporti final nga superekspertët lidhur me gjendjen  mentale të Fahredin Gashit. Ky vendim erdhi pasi në fillim të seancës u diskutua rreth gjendjes shëndetësore të të akuzuarit, Fahredin Gashi, me ç’rast mbrojtësi i Fahredin Gashit, avokati Tahir Rrecaj, njoftoi gjykatën se ka marrë një raport nga Spitali i Burgut të Dubravës, lidhur me gjendjen e klientit të tij, dhe se sipas këtij raporti gjendja e  të akuzuarit Gashi ishte përkeqësuar.

Rrecaj pohoi se raporti që ka marrë nuk është ajo që ai ka kërkuar, pasi sipas tij ai kishte kërkuar që klientit të tij t’i bëhet një superekspertizë, gjë të cilën e kërkoi edhe në këtë seancë nga trupi gjykues. Ai ka kërkuar që superekspertiza të bëhet nga mjekë të pavarur, nga një psikiatër, neuropsikiatër, psikolog dhe sociolog. Avokati Rrecaj, i pyetur nga kryetari i trupit gjykues rreth  kontaktit me klientin e tij, pohoi se ka dy apo tre muaj që nuk ka arritur të ketë komunikim me të, dhe se informacionet për gjendjen e tij i merr nga familjarët e tij. Avokati Rrecaj në fillim të seancës kërkoi që të  shtyhet shqyrtimi gjyqësor për kohë të pacaktuar ose të veçohet lënda ndaj Fahredin Gashit, gjë e cila u aprovua më vonën nga trupi gjykues. “Klienti im nuk është në gjendje të përcjellë shqyrtimin gjyqësor, andaj kërkoj që ose të veçohet lënda, ose të shtyhet deri në afat të pacaktuar, përkatësisht deri në marrjen e raportit të superekspertizës”, është shprehur Rrecaj.

Vërejtje lidhur me raportin mjekësor ka dhënë edhe kryetari i trupit gjykues, duke pohuar se në këtë raport nuk u është përgjigjur pyetjeve të parashtruara, por vetëm ka përsëritur ato që edhe më herët i ka thënë atij gjatë një bisede telefonike. Edhe prokurorja e EULEX-it, Ema Rizato, propozoi që të pandehurit Fahredin Gashi t’i bëhet një superekspertizë, por kësaj here ajo propozoi që superekspertiza të bëhet nga ekspertë të shteteve të tjera dhe jo vendorë. Ndërkohë ishte paraparë që në këtë seancë të paraqitej si dëshmitar eksperti mjekësor, i cili sipas prokurores së rastit ishte i zënë me disa operacione me pacient, dhe se për këtë arsye nuk është paraqitur në gjykatë për të dëshmuar. Mbrojtja e Shpresim Ukës, avokatja Fehmije Gashi, ka kërkuar që si dëshmitar në këtë rast të vijë edhe Alushan Kllokoqi.  Ajo edhe njëherë përsëriti kërkesën e saj për ballafaqim të Nazim Bllacës me Drita Kllokoqin, pasi siç pohoi ajo deklaratat e tyre janë diametralisht të kundërta. Ndërsa mbrojtësi i Shaban Sylës, avokati Haxhi Millaku, ka kërkuar që dëshmitar në këtë rast të vijë edhe inxhinieri i propozuar nga ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli, i cili e kishte përmendur atë gjatë dëshmisë së tij para katër muajsh. Seanca e radhës e këtij procesi gjyqësor do të mbahet të hënën.  /kosovasot/

Lini një koment