Mendime të ndryshme për veriun
Kosova përmbyll të hënën mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë, ngjarje kjo e cila në Prishtinë dhe në qendra të tjera të vendit pritet të festohet me organizime të ndryshme.
Ata që duket se nuk do të kenë gatishmëri për të festuar këtë ditë, janë serbët përtej lumit Ibër në veri të Mitrovicës, pjesa dërrmuese e të cilëve kundërshton ta pranojë autoritetin shtetëror të Kosovës.
Zbatimi i planit i të dërguarit për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, ishte parakusht për t’i dhënë fund mbikëqyrjes ndërkombëtare, por plani në fjalë nuk gjeti zbatim në veri të vendit as brenda katër e më shumë vjetëve që kur Kosova shpalli vetën shtet.
Derisa zyrtarët e lartë kosovarë flasin për një “plan integrues” për veriun, në atë pjesë të Kosovës ndodhi të premten sërish një sulm i armatosur që, kësaj radhe, kishte për cak dy vetura zyrtare-një të Policisë së Kosovës dhe një të misionit evropian për sundimin e ligjit (EULEX).
Njohësit e rrethanave politike në Prishtinë thonë se incidentet e tilla vënë në dukje rezistencën ende të theksuar të serbëve lokalë karshi mekanizmave shtetërorë të vendit, ndërsa flasin për ndërlikueshmërinë e procesit të integrimit.
Analisti Leon Malazogu, thotë për “Radio Evropa e Lirë” se situata aktuale bën të qartë nevojën për nisjen e dialogut politik ndërmjet Prishtinës, serbëve të veriut dhe Qeverisë në Serbi.
Bashkësisë Ndërkombëtare, sipas tij, i takon t’i bëjë të qarta kornizat, përtej të cilave nuk bën të lëvizë një dialog i tillë.
Ai mendon se serbëve të veriut u ka humbur tërësisht besimi karshi Prishtinës zyrtare dhe se u takon autoriteteve kosovare të gjejnë një platformë për rindërtimin e këtij besimi.
Për mungesë të besimit, sipas analistit Behlul Beqaj, mund të flitet edhe kur përmenden raportet aktuale ndërmjet serbëve të zonave në veri të Kosovës dhe ekzekutivit serb. Kjo gjendje, sipas tij, mund të shfrytëzohet nga pala kosovare në krijimin e ofertave më të pranueshme rreth gjetjes së zgjidhjes për problemin e veriut.
“Në pamundësi që të kenë një besim të plotë karshi Beogradit, ata, për shkak të kompromisit, ndoshta do t’i kthehen Kosovës. Ky mund të jetë një nga moduset ku eventualisht mund të kërkohet një kompromis, që nënkupton mbetjen e tyre në kuadër të Kosovës, duke vazhduar kontakte speciale me shtetin e tyre – Serbinë”, thotë Beqaj.
